Presidenti i PSG-së kërkon nga futbollistët uljen e pagave
Presidenti i PSG-së, Al Khelaifi u ka kërkuar lojtarëve të reduktojnë pagat e tyre për shkak të pandemisë së coronavirusit.
Në një intervistë të dhënë për radion RMC numri 1 i klubit parizien dhe gjithashtu anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, u shpreh se pret që lojtarët e skuadrës të bëjnë përpjekjen e tyre për të ndihmuar klubin francez duke marrë njëkohësisht dhe përgjegjësitë që u takojnë për këtë rast.
Në Francë pothuajse të gjitha klubet deri në këto momente kanë arritur marrëveshje me futbollistët për reduktimin e pagave dhe PSG do të marrë të njëjtën masë shkurtimi të pagesës në masën 16 përqind. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar dhe shumë lojtarë të tjerë në vende të ndryshme europiane.
Sipas Al Khelaifit, lista e pagave në klubin parizien është goxha e fryrë dhe nëse lojtarët nuk marrin përsipër të reduktojnë pagat e tyre, rrezikohet që të shkaktohen humbje të mëdha financiare për këtë vit, që do të sillnin pasoja te të gjithë. Aktualisht PSG-ja ka shumë lojtarë më paga stratosferike duke nisur nga Neymar, Mbappe, Di Maria, Verratti apo Edinson Cavani.