Presidenti i Shqipërisë kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe OKB

22 prill 2023 | 17:19

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në takim asistent – sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për inteligjencën dhe sigurinë, David Cattler.

Presidenti Begaj vlerësoi kontributin që japin strukturat e inteligjencës së NATO-s në përballimin e sfidave komplekse të sigurisë.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet strukturave të inteligjencës të vendit tonë me ato të NATO-s është thelbësor për të parandaluar influencat malinje të vendeve me qëllime jomiqësore.

Më tej, presidenti Begaj diskutoi me Cattlerin lidhur me situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku pavarësisht progresit të bërë, vërehen përpjekje të aktorëve me ambicie gjeopolitike për të zgjeruar influencën dhe për të penguar proceset euro-integruese.

Gjithashtu theksoi se dakordësia e arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, është një hap pozitiv i cili duhet të avancojë me arritjen e rezultateve konkrete.

Normalizimi i marrëdhënieve duhet të qendërzohet drejt njohjes reciproke dhe drejt anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe NATO.

Në përfundim, presidenti Begaj theksoi se strukturat e inteligjencës dhe të sigurisë së Shqipërisë, do vijojnë të kontribuojnë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat e NATO-s.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër duke filluar nga ora 10:00-18:00 në Prishtinë, pritet do…