Presidenti i Shqipërisë kërkon nga Vatikani ta njohë Kosovën
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim të hënën sekretarin e Vatikanit për marrëdhënie me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, arqipeshkvin Paul Richard Gallagher.
Begaj ka thënë se në këtë takim ka kërkuar nga Vatikani që ta njohë shtetin e Kosovës.
“Prita sot Sekretarin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Arqipeshkvin Paul Richard Gallagher. Vizita e Imzot Gallagher është një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, por edhe atyre shpirtërore midis komunitetit katolik shqiptar dhe Selisë së Shenjtë. Gjatë takimit vlerësova rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ka luajtur dhe luan Selia e Shenjtë për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, ritheksova kërkesën time për njohjen nga ana e Shtetit të Vatikanit të Shtetit të Kosovës, njohje që do të shërbente si një mbështetje shumë e madhe për shtetin më të ri në Evropë”, ka shkruar Begaj në “Facebook”.