Presidenti i Shqipërisë merr pjesë në samitin e Sarajevës
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, do të marrë pjesë në një darkë që do të mbahet sonte në Sarajevë, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Të martën, Meta do të marrë pjesë edhe në takimin në nivel presidentësh në Jahorinë, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” këshilltari i Metës për rajon dhe diasporë, ambasadori Flamur Gashi.
Më herët, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se Shqipëria, në shenjë solidariteti me Kosovën, e ka anuluar pjesëmarrjen në samit, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të organizatorit me Kosovën.
Gashi, megjithatë, ka thënë se Meta nuk e ka anuluar pjesëmarrjen e tij.
Cakaj nuk ka marrë pjesë në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm, me të cilin është hapur samiti dyditor.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pavarësisht “gatishmërisë dhe vullnetit” për të marrë pjesë në samit, ai ka vendosur të mos shkojë në Sarajevë, sepse, siç ka thënë në një postim në “Twitter”, “trajtimi dhe deklaratat nga Presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës nuk janë në favor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave dhe parimeve të BE-së”.