Presidenti i Shqipërisë përfundon vizitën dyditore në Kosovë

16 gusht 2022 | 17:50

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me vizitën në kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, ka përmbyllur qëndrimin dyditor në Kosovë. Me këtë rast, Begaj ka thënë se shpreson që ngjarja e Lidhjes së Prizrenit t’i bëjë të dyja anët e kufirit të mendojnë për vizionin dhe aspiratat që kanë pasur udhëheqësit e asaj kohe dhe t’i kthejnë në realitet në ditët e sotme. Para se ta përmbyllte vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, Begaj është takuar me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, por jo edhe me atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Krasniqi dhe Haradinaj i kanë ofruar mbështetjen e plotë Begajt për avancimin e marrëdhënieve vëllazërore në mes të dy vendeve. 

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë, është takuar me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa nuk është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas takimit me Begajn, Krasniqi ka thënë se ka qenë i nderuar që e ka takuar presidentin shqiptar.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se i ka ofruar mbështetjen e plotë të PDK-së për avancimin e marrëdhënieve vëllazërore. “Kënaqësi e veçantë ta takoj presidentin e sapozgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Republikën e Kosovës, të cilin e urova për detyrën e re dhe i ofrova mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës në ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve vëllazërore në mes të Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë, kostum dhe ambiente të brendshme

Më tutje, Krasniqi ka bërë me dije se e ka falënderuar Begajn dhe Shqipërinë për hartimin e Rezolutës dhe për dërgimin e saj në Asamblenë e Këshillit të Evropës që ka për synim vërtetësinë e luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Po në këtë takim presidentin e urova edhe për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e cila është jo vetëm arritje e madhe për shtetin shqiptar, por edhe një hap i rëndësishëm për tërë rajonin në avancimin e kërkesave dhe të drejtave tona. Presidentin Begaj e falënderova për angazhimin dhe kontributin e shtetit shqiptar për hartimin e Rezolutës dhe dërgimin e saj në Asamblenë e Këshillit të Evropës që ka për synim vërtetësinë e luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ka mbajtur një konferencë për medie. Në këtë konferencë, Haradinaj ka thënë se AAK-ja është interesuar t’i thellojë marrëdhëniet në mes të dy shteteve. I pari i AAK-së ka treguar se me Begajn ka biseduar për mundësinë e dhënies së shtetësisë çdo shqiptari, sigurinë, infrastrukturën, energjinë etj. “Jemi të interesuar që ta thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë. Kemi veçuar disa tema të rëndësishme. Kemi filluar me çështjen e shtetësisë për të gjithë shqiptarët. Iniciativa ime ka qenë me vite për një pakt të paqes. Kemi diskutuar për çështjen e hekurudhës, kemi folur për bashkëpunimin për energji. Është çudi që mos të bashkinvestojmë në energji. Kemi folur edhe për marrëveshjen Kosovë – Serbi, për njohje reciproke e jo për arritje që na kthejnë mbrapa”, ka thënë Haradinaj.

Mund të jetë një imazh i 3 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Ndërsa zyrtarët e LDK-së kanë shprehur keqardhje për mosrealizimin e takimit të Abdixhikut me Begajn.

Begaj: Lidhja e Prizrenit ka simbolikë të jashtëzakonshme për shqiptarët

Pas takimit me Krasniqin dhe Haradinajn, Begaj ka vizituar Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, duke përmbyllur qëndrimin e tij në Kosovë. Ai në Prizren ka thënë se shpreson që ngjarja e Lidhjes së Prizrenit t’i bëjë të dyja anët e kufirit të mendojnë për vizionin dhe aspiratat që kanë pasur udhëheqësit e asaj kohe dhe t’i kthejnë në realitet në ditët e sotme.

Begaj pas homazheve në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit ka thënë se kjo vizitë ka një simbolikë të jashtëzakonshme. “Është kënaqësi e madhe që të jem në Prizren, në qytetin e mrekullueshëm, të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të popullit shqiptar, të Lidhjes së Prizrenit. Ardhja këtu ka një simbolikë të jashtëzakonshme sepse qyteti përfaqëson vlerat e qëndresës, të bashkimit dhe bashkëpunimit. Kështu shpresoj që kjo ngjarje t’i bëjë të dyja anët e kufirit të mendojnë për vizionin dhe aspiratat që kanë pasur në atë kohë udhëheqësit e asaj kohe dhe t’i bëjmë realitet në ditën që ne po jetojmë”, ka thënë Begaj.

Ndërsa kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka treguar për temat që kanë folur me presidentin shqiptar. Sipas tij, bashkëpunimi dhe mundësia e bashkimit të vlerave ishin çështjet kryesore për të cilat kanë biseduar. “Është privilegj që presidenti i Shqipërisë po na viziton. Jorastësisht ka ardhur në komunën e Prizrenit për shkak të peshës specifike, për shkak të traditës dhe për shkak të rëndësisë që ka për historinë kombëtare për trashëgiminë tonë që e kemi dhe perspektivën. Biseduam për një të ardhme më të mirë për bashkëpunim dhe bashkim të shumë gjërave dhe shumë vlerave që neve na bashkojnë dhe jam i sigurt se në këtë drejtim do të lëvizim dhe do të jemi të suksesshëm”, ka thënë Totaj.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, një ditë më parë është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti. Po ashtu, ai ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai të hënën në një konferencë të përbashkët me Osmanin ka thënë se shteti shqiptar mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO. Ai ka thënë se Shqipëria do të jetë zëdhënëse e Kosovës në OKB. “Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe vlerëson se NATO-ja mbetet garantuese e paqes në rajon dhe aleate strategjike e Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Begaj në një konferencë për medie mbajtur me presidenten Osmani në Prishtinë. Po ashtu, Begaj ka kërkuar nga BE-ja që ta mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Begaj në ditën e parë të vizitës zyrtare në Kosovë ka folur edhe për UÇK-në. Ai ka thënë se nuk ka raport që mund ta njollosë luftën dhe luftëtarët e UÇK-së

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Finlanda ka bërë me dije se do ta shkurtojë numrin…