Presidenti i Shqipërisë viziton familjen e ish-presidentit Rrugova
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Kosovë zhvilloi një vizitë në familjen e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai u prit nga familjarët e ish-presidentit Rugova, bashkëshortja Fanë, e bija, Teuta, dhe nga i biri Ukë Rugova, me të cilët zhvilloi një bisedë vëllazërore për familjet, zhvillimet në Prishtinë e Tiranë, si dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Begaj kujtoi figurën emblematike të Rugovës dhe u shpreh se mësimet e tij, urtësia, mençuria dhe vizioni i burrit të rezistencës humane duhet të nderohen dhe ndiqen nga shqiptarët në çdo kohë.
“Çdo shqiptar duhet të vijë këtu, pasi për të gjithë ne Rugova do të mbetet dhe është President”, u shpreh Begaj, i cili e vlerësoi Rugovën si lider vizionar, udhërrëfyes dhe një shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët.
“Kombi shqiptar nuk do të ishte këtu ku ndodhet pa kontributin e jashtëzakonshëm të Ibrahim Rugovës. Ëndrra e kamotshme e krejt shqiptarëve u realizua”, vlerësoi presidenti Begaj gjatë takimit me familjen Rugova.