Presidenti i UEFA-s nuk e kundërshton ligën e përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë

07 janar 2021 | 18:59

Kosova dhe Shqipëria nuk janë vendet e vetme në të cilat qe disa vite qarkullon ideja e krijimit të një lige të përbashkët të futbollit. Ideja për krijim të ligave rajonale qarkullon edhe në disa pjesë të tjera të Evropës në mes dy, tri apo edhe më shumë shtetesh fqinj.

Dhe, këto ide tashmë janë shprehur edhe në UEFA. Presidenti i shtëpisë së futbollit evropian, Aleksandër Çeferin, në një intervistë të fundit ka konfirmuar interesimin e disa shteteve anëtare të UEFA-s për krijimin e ligave të tilla të përbashkëta. Dhe, Çeferin ka potencuar se UEFA nuk është kundër ideve të tilla. Por, thekson se duhet të shqyrtohen me kujdes këto ide në mënyrë që të merren vendime të mira dhe në interes të futbollit dhe të mos gabohet në hapa. “Ne në UEFA jemi duke menduar për ligat rajonale dhe kemi mund të konfirmoj se kemi biseduar me udhëheqës të federatave kombëtare, anëtare të UEFA-s, për këto ide”, ka deklaruar Çeferin.

“Secilën herë e më shumë idetë e tilla dhe interesimi po rritet sepse ka përshtypje se ligat e tilla rrisin vlerën e klubeve, rrisin vlerën e tregjeve, pastaj të ardhurat nga sponsorët, shitjen e të drejtave televizive etj. Në parim, UEFA nuk ka asgjë kundër krijimit të ligave të tilla rajonale. Por, ekziston një problem se si të shkohet në gara evropiane nga ato liga. Pastaj, duhet të shqyrtohet me kujdes nëse ato liga i dëmtojnë kampionatet kombëtare. Pra, si ide shqyrtohet, por konkrete nuk ka asgjë. UEFA duhet ta zgjedhë me kujdes këtë çështje”, ka theksuar Çeferin.

Kosova dhe Shqipëria qysh prej vjetësh e shqyrtojnë idenë e krijimit të një lige të përbashkët, e cila në Prishtinë e Tiranë qarkullon qysh prej para anëtarësimit të Kosovës në UEFA. Të dyja federatat gjithnjë kanë shprehur admirim për realizimin e kësaj ideje, por pa bërë hapa konkretë, duke konsideruar se diçka e tillë duhet të bëhet me kujdes dhe në koordinim me UEFA-n.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka pritur në takime…