Presidenti i UEFA-s uron Dukën: Futbolli shqiptar do të vazhdojë të zhvillohet
Pas Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së, ku Armand Duka u rikonfirmua në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit edhe për një mandat tjetër katër vjeçar, të shumta kanë qenë urimet nga figura të njohura të mbarë komunitetit të futbollit në vend dhe në botë.
Së fundmi, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka uruar presidentin e FSHF-së, Armand Duka për rizgjedhjen, teksa i uron një mandat të suksesshëm, me sigurinë që nën drejtimin e Presidentit Duka, futbolli në Shqipëri do të vazhdojë të zhvillohet.
Në letrën e urimit, kreu i qeverisë së futbollit evropian falënderon numrin një të futbollit shqiptar mbi arritjet e veçanta të futbollit vendas, por edhe punën përtej kufijve shqiptarë dhe angazhimin në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.
Më poshtë, edhe letra e plotë e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin:
I dashur Zoti President, i dashur Armand, jam i lumtur t’ju uroj për rizgjedhjen tuaj si President i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ju uroj më të mirat në këtë mandat të ri dhe jam besimplotë se futbolli në Shqipëri do të vazhdojë të zhvillohet.
Vetë Federata Shqiptare e Futbollit është shtylla kryesore e komunitetit të futbollit dhe punon shumë për të mbajtur në qendër të vëmendjes çështje kyçe si pjesëmarrja në evenimente të rëndësishme apo zhvillimi i infrastrukturës. Anëtarë të Komitetit HatTrick të UEFA-s, ku ju jeni edhe Zëvendës-Kryetar kanë vizituar së fundmi Shqipërinë për të parë nga afër progresin.
Shumë shpejt, ju do të mirëprisni me ngrohtësi në skenë edhe futbollin evropian, teksa do të luhet finalja e parë e UEFA Europa Conference League.
Armand, personalisht, do të doja t’ju falënderoja për angazhimin tuaj në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Të shprehura më sipër janë arritje shumë të veçanta për futbollin në Shqipëri, por është gjithashtu e rëndësishme të vlerësosh të gjithë punën që bëni për futbollin përtej kufijve tuaj.