Presidenti i UFC-s: Conor mezi pret të rikthehet në kafaz dhe të konkurrojë përsëri
Conor McGregor mezi pret të rikthehet në kafaz dhe insiston që të ketë një sfidë për titullin kampion. Edhe Dana White, president i UFC-së, e pret me padurim rikthimin në kafaz të irlandezit, pasi në çdo ngjarje që ai ndeshet shitjet PPV (paguaj për ta parë) janë të larta.
Irlandezi nuk ndeshet që prej korrikut të këtij viti, kur u dëmtua në këmbë dhe u detyrua të operohet. Ai pritet të rikthehet në kafaz në prill të 2022-shit. “Conor mezi pret të rikthehet në kafaz dhe të konkurrojë përsëri, por do t’i duhet pak kohë sa të rikuperohet nga dëmtimi”, ka thënë Dana White.
“Mendoj se prilli do të jetë afati i duhur për ta parë sërish në aksion. Rëndësi ka që ai të ndeshet, por nuk di të them nëse do të ndeshet për titull apo jo”, u shpreh numri një i arteve marciale mikse, aktualisht në karantinë, pasi është infektuar me Covid-19.