Presidenti i Ukrainës mohon se ka bërë pazare me Trumpin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mohuar se ka bërë pazare me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të hetuar rivalin politik të Trumpit, Joe Biden.
“Unë definitivisht nuk kam folur me presidentin amerikan në mënyrën e tillë si: ti më jep këtë, unë të jap këtë”, ka thënë Zelensky për gazetën gjermane “Der Spiegel”.
Trumpi është duke u akuzuar se i ka bërë presion Zelenskyt për të hetuar Bidenin për korrupsion në Ukrainë.
Dyshohet se Trumpi e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për këtë vend, në këmbim të informacioneve për Bidenin.
Dyshimet e tilla kanë bërë që demokratët në ShBA të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit, i cili është republikan dhe do që të garojë për rizgjedhje, vitin e ardhshëm.
Trumpi e ka mohuar çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në ShBA, është akt i paligjshëm.
Trumpi i ka cilësuar hetimet kundër tij si “gjueti shtrigash” nga demokratët dhe disa medie.
“Unë nuk dua që Ukraina të jetë një pjesë në tabelën e shahut të fuqive të mëdha”, ka thënë Zelensky për “Der Spiegel”.