Presidenti: Institucionet i kanë shtuar kapacitetet për luftimin e korrupsionit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale Kundër Korrupsionit, e cila po mbahet në Prishtinë.
Me këtë rast Thaçi ka thënë se korrupsioni nuk është çështje specifike vetëm për Kosovën apo për vendet e rajonit, por është një sfidë në shkallë globale.
Përveç pasojave që shkakton në zhvillimet politike dhe socio-ekonomike, presidenti Thaçi ka thënë se dukuria e korrupsionit shkakton pasoja edhe në rrafshin e sigurisë.
“Prania e korrupsionit është në të gjitha shtetet, qoftë ato të zhvilluara, ato në zhvillim, por edhe tek ato vende që janë të pazhvilluara. Niveli dhe format e paraqitjes së korrupsionit janë të ndryshme. Andaj, bashkëpunimi i shteteve në këtë fushë është i domosdoshëm për arritjen e rezultateve në luftën ndaj dukurisë së korrupsionit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka theksuar se Republika e Kosovës është shteti më i ri në rajon dhe përgjatë 10 vjetëve shtet ka marr një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.
“Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës, bazohet ndër të tjera në parimin e sundimit të ligjit. Shteti ligjor dhe qeverisja e fortë, e prirë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, e ushqejnë rritjen ekonomike të një vendi dhe hapë perspektivë për të gjithë qytetarët. Në këtë drejtim, Republika e Kosovës ka miratuar legjislacion përkatës për këtë fushë, duke krijuar edhe mekanizma institucionalë dhe ndërinstitucionalë për këtë qëllim. Por, kemi edhe sfida që ndërlidhen me zbatimin e legjislacionit dhe funksionimin e këtyre mekanizmave”, është shprehur ai.
I pari i vendit ka thënë se të arriturat e Republikës së Kosovës kundër korrupsionit janë evidente.
“Janë nxjerr akte ligjore që parandalojnë dhe sanksionojnë veprat e korrupsionit. Janë hartuar dokumente të politikave. Janë krijuar mekanizma për këtë qëllim dhe janë bërë hapa konkretë në forcimin e sundimit të ligjit. Në mënyrë graduale është rritur numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë ngritur kapacitet e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe është shtuar buxheti për institucionet e sundimit të ligjit”, ka theksuar Thaçi.
Si nevojë e kohës, sipas presidentit Thaçi, legjislacioni i fushës kundër korrupsionit në vazhdimësi plotësohet, më qëllim të forcimit të sundimit të ligjit.
“Republika e Kosovës, në mënyrë të vazhdueshme ka shënuar progres në luftën ndaj dukurisë së korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sigurisht që gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të punohet më me profesionalizëm. Ne e dimë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është e lehtë, por ne jemi të vendosur të ecim përpara”, është shprehur Thaçi.
Ai ka theksuar se sfidat duhet t’i tejkalojmë me profesionalizëm dhe përkushtim, duke bashkëpunuar dhe shkëmbyer përvoja me vendet e rajonit dhe më gjerë.
Nga diskutimet e kësaj konference, presidenti ka thënë se pret të identifikohen sfidat rajonale kundër korrupsionit, mundësitë e bashkëpunimit, por edhe hapat për t’i tejkaluar sfidat e identifikuara.
Presidenti Thaçi ka thënë se rekomandimet që do të dalin nga kjo konferencë, do t’i përfshijë gjatë rishikimit funksional të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili është një trup koordinues nën udhëheqjen e tij.
Ai ka theksuar se synon dinamizëm dhe avancim të punës së Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, në funksion të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve.
/Epoka e re/