Presidenti jep detaje shtesë nga takimi me ambasadorët e vendeve të Kuintit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se takimin me ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE), Natalyia Apostolova, ka biseduar për çështjen e pandemisë Covid-19 dhe zhvillimet politike në vend.
Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ua ka bërë me dije përfaqësuesve ndërkombëtarë se qytetarët kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë, sidomos në rrethanat emergjente të krijuara nga pandemia.
Postimi i plotë i Thaçit:
Ambasadorët e shteteve të Kuintit dhe atë të BE-së në Kosovë i falënderova për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës në përballje me virusin COVID-19 dhe i ngushëllova për viktimat e pandemisë në shtetet e tyre.
Me ambasadorët diskutova për zhvillimet politike dhe për kërkesat që ia kam drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekt politik fitues në zgjedhjet e vitit të kaluar, për ta propozuar kandidatin e ri për Kryeministër të Kosovës, pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.
Në këtë takim theksova se Republika e Kosovës dhe qytetarët kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë, sidomos në rrethanat emergjente të krijuara nga pandemia. Çdo hap që do ta ndërmarr si president i vendit do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet tona, me praktikat e deritashme dhe me vullnetin e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.