Presidenti kroat në samitin e Brukselit propozon që Kosova të anëtarësohet në NATO

24 mars 2022 | 15:59

Presidenti Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka marrë pjesë të enjten në samitin e NATO-s të mbajtur në Bruksel.

Gjatë fjalës së tij, presidenti kroat ka propozuar që Kosova të integrohet në NATO, duke shtuar se kështu mund të bëhet shtet i plotë.

“Katër vendet anëtare të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, ka thënë Milanoviqi, raporton “Index.hr”.

Milanoviqi ka thënë se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.

“Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia dhe Kosova nuk u përmendën”, ka thënë Milanoviqi.

Kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku i ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për t’u anëtarësuar në NATO.

Edhe Qeveria e Kosovës ditë më parë ka themeluar grupin punues ndërinstitucional për integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike, NATO.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Herdi Prenga foli në konferencë për shtyp para ndeshjes miqësore…