Presidenti kroat: Samiti për Ukrainën ishte shou për Vuçiqin
Samiti i Ukrainës dhe Evropës Juglindore në Dubrovnik javën e kaluar ishte një shfaqje për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili nuk duhej të ishte ftuar atje, tha presidenti kroat Zoran Milanoviq në Krakov.
“Kam folur me Vuçiqin në drekë në Tivat dhe kur dëgjova se ishte i ftuar në Dubrovnik, qesha me vete dhe thashë – Kjo nuk do të përfundojë mirë”, u tha Milanoviq gazetarëve, duke iu referuar takimit të Procesit Brdo-Brijuni të martën në atë vend malazez.
Të nesërmen, në Dubrovnik u mbajt një takim i vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukrainës, të organizuar nga kryeministri kroat Andrej Plenkoviq dhe presidenti ukrainas VolodymyrZelenskiy. Në samit u miratua Deklarata e Dubrovnikut, në të cilën u shpreh mbështetja e fuqishme e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën.
Edhe pse paraprakisht ishte paralajmëruar se Serbia do të përfaqësohej nga ministri i Jashtëm, presidenti i Serbisë sërish kishte shkuar në takimin në Dubrovnik.
Milanoviq deklaroi se Vuçiq është president i një vendi që ende ka lidhje të drejtpërdrejta me Moskën, nuk vendos sanksione ndaj saj dhe ka rrugën e vet.
“Ose ia përshtat përmbajtjen dhe tonin mysafirit ose, më e mençura, nuk e fton”. “Por atëherë – si prisni që Vuçiqi të pajtohet me deklaratën që Plenkoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij formuluan në mënyrë të ngathët dhe në të cilën përmenden sanksionet kundër Rusisë?” Atëherë pse e thirrët Vuçiqin?”, tha Milanoviq.
Në Dubrovnik, para konferencës së përbashkët për shtyp të Plenkoviqit dhe Zelenskit, Vuçiq bëri një deklaratë për media në të cilën theksoi se Serbia ka arritur të ndryshojë disa pika kyçe të Deklaratës së Dubrovnikut, duke përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, për të cilat sërish refuzoi t’i vendosë, si dhe refuzoi të përfshihen ndihmat ushtarake.