“Presidenti Maduro i ka ditët e numëruara”
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka deklaruar të dielën se Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro është në pushtet vetëm “për momentin” me gjithë dështimin këtë javë të përpjekjeve për të rrëzuar udhëheqësin aktual dhe për ta zëvendësuar atë me udhëheqësin e opozitës, Juan Gaido.
Shefi i diplomacisë amerikane ka deklaruar për emisionin “Fox News Sunday”, se Presidenti Maduro i ka ditët të numëruara, ndonëse nuk ka folur për plane kohore.
Ndërkaq, shtatë oficerë venezuelianë kanë gjetur vdekjen, pasi helikopteri i tyre u përplas për një shpat mali. Helikopteri me dy lejtnant kolonelë dhe katër ushtarakë më të ulët si dhe një pilot, po udhëtonte dje nga kryeqyteti Karakas drejt qytetit San Karlos, ku Presidenti Nicolas Maduro po takohej me trupat në një akademi ushtarake. Nuk është e qartë nëse helikopteri ishte pjesë e delegacionit presidencial që po shkonte në San Karlos.
Presidenti Maduro u shfaq përkrah trupave në akademinë ushtarake, duke sinjalizuar se nuk ka dezertime në ushtri, siç shpresonte opozita.
Dje në Karakas një protestues i dorëzoi një polici një apel me shkrim për mbështetje nga ushtria. Polici e dogji letrën në sy të protestuesve dhe para kamerave.
Ishte një gjest që simbolizon ngërçin që ka ngërthyer Venezuelën pas një jave të trazuar që u shoqëruan fillimisht me shpresa të mëdha për dezertimin e ushtrisë dhe rrëzimin e Presidentit Maduro.
Situata ka detyruar vendet perëndimore që mbështesin udhëheqësin e opozitës Juan Guaido të shqyrtojnë alternativat e mëtejshme në përgjigje të precipitimit të situatës politike dhe humanitare në Venezuelë./voa/