Presidenti mban fjalim para ushtrisë: FSK-ja është në gatishmëri për ta mbrojtur paqen
Me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur sot një fjalim para ushtarëve të Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Thaçi pasi ka parakaluar para ushtarëve, ka thënë se në këtë përvjetor duhet të kujtojmë dëshmorët e lirisë dhe komandantin legjendar Adem Jashari, dhe të gjithë ata qytetarë që kudo që jetonin ishin shndërruar në çlirimtar të Kosovës.
“Këto ditë po shënojmë 20-vjetorin e lirisë së vendit dhe popullit tonë. Sot kujtojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, luftëtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kujtojmë me nderime dhe respekt komandantin legjendar Adem Jashari. Kujtojmë me nderime dhe respekt sakrificën e çdo qytetari të Kosovës që në një formë apo formën tjetër që kudo që jetonin ishin shndërruar në çlirimtar të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
“Të nderuar ushtarë nga aspirata dhe angazhimi i popullit për liri keni lindur edhe ju. E kishim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e transformuan në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, e themeluam Forcën e Sigurisë së Kosovës, para pak muajsh morëm edhe vendimin historik për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Vlerësime më të larta për punën tuaj personale”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se sot FSK-ja është në gatishmëri për ta mbrojtur paqen.
“Këto ditë kujtojmë të kaluarën por shikojmë edhe nga e ardhmja. Kemi arritur shumë në këto 20 vite, kemi pasur edhe sfida jo të lehta. Kemi ndërtuar institucionet e shtetit dhe kemi rindërtuar shoqërinë. Kemi vënë bazat e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit. Me këtë kemi konfirmuar aspiratën tonë të re, aspiratën për shtet të pavarur dhe sovran. Tani po punojmë për anëtarësim në NATO dhe BE”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se Republika e Kosovës duhet të përfundojë reformat në ekonomi, drejtësi dhe politikë.
“Duhet të përmbyllim konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit. Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, me Malin e Zi, Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se janë duke punuar edhe për marrëveshjen finale me Serbinë.
/Epoka e re/