Presidenti mbërrin te objekti i selisë së Speciales, pritet me brohoritje “Thaçi”, “UÇK”…
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbërritur para objektit të Gjykatës Speciale në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pas luftës në Kosovë.
Para objektit të Speciales janë mbledhur një grup i shqiptarëve, të cilët me të parë Thaçin duke zbritur nga vetura, brohorisnin “Thaçi”, “UÇK”…
Në disa prej pankartave të protestuesve thuhej: “Ne nuk kemi heronj për të sakrifikuar”, “Ne e shohim se nuk ka drejtësi për të gjithë, por nuk kemi besuar se nuk ka fare drejtësi”, “Ky është racizëm” “Çfarë duhet t’u themi fëmijëve të prindërve të zhdukur nga regjimi i Milosheviqit?”, “Ku është drejtësia për 20 mijë gra të përdhunuara në Kosovë nga regjimi serb”.
Më 24 qershor kjo prokurori ka publikuar njoftimin për ngritjen e aktakuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
(M.Q / Epoka e re)