Presidenti, me ‘përçaj dhe sundo’ po mirëmbahet në pushtet nga ata që nuk shohin përtej hundës

16 maj 2020 | 10:59

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka reaguar pas akuzave të djeshme të presidentit Hashim Thaçi ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Mulhaxha-Kollçaku në një shkrim publikuar në Facebook ka thënë se presidenti po luan me dëshirë rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjyqtarit.

“Do të ishte e pabesueshme sikur të mos ishte e vërtetë. Një President në rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjyqtarit. Të gjitha këto role po i luan me dëshirë, përveç atij të një Presidenti unifikues dhe përfaqësues. Me moton ‘Përçaj dhe sundo’ po mirëmbahet ende me sukses në pushtet nga ata që nuk shohin përtej hundës së tyre”, ka shkruar ajo.

Ndër të tjera, nënkryetarja e LV-së ka thënë se Qeveria Kurti 2 do të vijë së shpejti.

“President, nuk ka grup. Ka një Qeveri në detyrë me qindra mijëra mbështetës. E së shpejti vjen edhe Qeveria Kurti 2”, ka shprehur mendimin Kollçaku.

Dje presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se kryeministri Kurti është përgjegjës për vetëvrasjen e 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve dhe se karantinimi në këtë qendër po bëhet në mënyrë selektive. Pas akuzave të tij, Kurti ka thënë se Thaçi është ‘idhnak’ dhe se po përzihet në çdo dikaster dhe i ka bërë ftesë ta lë karrigen e të dalë në fushatë.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka vlerësuar…