Presidenti Meta: Adem Jashari i tregoi botës se çfarë çmimi ka liria për shqiptarët
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u ka shprehur mirënjohjen dhe nderimin më të lartë familjes Jashari për sakrificën sublime të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili për kreun e shtetit, ende sot frymëzon kombin për mbështetje të palëkundur të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
”Në themelet e shtetit të Kosovës qëndron gjaku i bijve dhe bijave më të mirë të kombit, që ashtu si Jasharët e Drenicës martire 23 vjet më parë, i treguan mbarë botës se çfarë çmimi ka liria për shqiptarët”,-shkruan Meta në Facebook.
Sipas Metës, të ardhmen e sigurt evropiane kombi ynë do t’ia dalë ta ndërtojë mbështetur mbi sakrificat e Dëshmorëve dhe mbrojtjes së vlerave më të larta që trashëgojmë.
Postimi i plotë nga Presidenti Meta
Mirënjohje përjetë dhe nderimin më të lartë për sakrificën sublime të Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes Jashari, që frymëzon kombin në çdo kohë për mbështetje të palëkundur të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Në themelet e shtetit të Kosovës qëndron gjaku i bijve dhe bijave më të mirë të kombit, që ashtu si Jasharët e Drenicës martire 23 vjet më parë, i treguan mbarë botës se çfarë çmimi ka liria për shqiptarët.
Të ardhmen e sigurtë evropiane kombi ynë do t’ja dalë ta ndërtojë mbështetur mbi sakrificat e Dëshmorëve dhe mbrojtjes së vlerave më të larta që trashëgojmë.