Presidenti Meta dekreton ministër të Brendshëm, Sandër Lleshin
17 nëntor 2018
| 09:35
Tri orë para se të skandonte afati Kushtetues, presidenti Ilir Meta ka dekretuar rreth orës 21:00 të së premtes, Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, duke zgjidhur kështu ngërçin e krijuar për një nga anëtarët më të rëndësishëm të qeverisë dhe një moment delikat sa i takon situatës së rendit në vend.
Kryeministri Edi Rama dukej se ishte në dijeni të këtij vendimi të Metës, dhe pak çaste pas dekretit, reagoi menjëherë në “Twiter”: “Dekretimi i Sandër Lleshit ministër i brendshëm, një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket, sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka Vullnet të Mirë. Ministri i ri njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur”, ka shkruar Rama.