Presidenti Meta thotë se nuk ka frikë nga reforma në drejtësi
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur rreth situatës në të cilën gjendet Gjykata Kushtetuese.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se edhe pas tre vitesh nga reforma në drejtësi, Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë anëtar.
Më tutje Meta ka shkruar se nuk ka frikë nga reforma në drejtësi. “E di që disa do thonë se kam frikë nga reforma në drejtësi e sidomos nga Spaku. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin”, ka shkruar Meta.
Postimi i plotë i Metës:
Mirëdita të dashur miq!
Duke udhëtuar drejt Tropojës sapo përfundova leximin e shtypit për sot. Ndaj ju ftoj edhe ju që të lexoni me vëmendje një shkrim i cili ndihmon për të kuptuar si funksionon shndërrimi i reformës historike të drejtësisë të 21-22 korrikut në Ramaformë.
Më vonë, kur të jem më i lirë që të shkruaj me terezi do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-kryetar i Kuvendit e si president i Republikës.
Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi.
Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për mese një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z.Agaci për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin “È buono per l’Albania”.
E di që disa do thonë se kam frikë nga reforma në Drejtësi e sidomos nga Spaku. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin. Kalofshi bukur sot të gjithë.
/Epoka e re/