Presidenti Meta ia kthen Kuvendit ligjin që ndan Shqipërinë në katër rajone
Pa kaluar 24 orë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka kthyer një tjetër ligj për rishqyrtim në Kuvend, atë për zhvillimin rajonal dhe kohezionin, i cili propozon ndarjen e vendit në 4 rajone.
Sipas Metës, ky ligji bie ndesh me Kushtetutën, ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe atë për ndarjen administrative-territoriale.
“Kjo ndarje antikushtetuese dhe arbitrare, kufizon direkt çdo iniciativë që mund të kenë dhe ndërmarrin, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, organet e qeverisjes vendore për të vendosur vetë për problemet që hyjnë në juridiksionin e tyre. Ky akt ligjëron ushtrimin e pushtetit politik të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi ynë”, ka thënë Meta.
Presidenti Meta në argumentin e tij ligjor, ka thënë se ky akt i miratuar njëkohësisht me ndryshimet kushtetuese dhe ato në Kodin Zgjedhor, synon parapërgatitjen e qeverisë për të centralizuar të gjitha burimet financiare dhe ekonomike në ato zona që u nevojiten, për dhënien e përparësive në funksion të betejave politike. “Krijon struktura paralele, vetëm për të rritur pushtetin politik të qeverisë dhe për të kontrolluar çdo vendimmarrje deri në nivel vendor”, është shprehur Meta. Në listën e argumenteve, Meta ka renditur si argument edhe faktin se konsultimi për ligjin është bërë gjatë kohës së fatkeqësisë natyrore. Ligji i miratuar në seancën plenare të 30 korrikut është denoncuar si antikushtetues edhe nga Partia Demokratike.