Presidenti Meta: Ilaçi që shëron krizën është vota direkte
11 korrik 2019
| 15:08
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan me qendër në Nju Jork, të kryesuar nga drejtori ekzekutiv, David Harris.
Meta ka thënë se e ka njohur Harrisin “me situatën aktuale në Shqipëri, krizën e rëndë kushtetuese dhe institucionale që ka përfshirë vendin”, si dhe me propozimin e tij për zgjidhjen, “nëpërmjet zhvillimit të tri palë zgjedhjeve më 13 tetor 2019: vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli”.
Presidenti ka theksuar se “i vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithë ne”.