Presidenti Meta: Jetimët në Shqipëri nuk duhet të ndihen vetëm (Foto)
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve, ka thënë jetimët nuk duhet të ndihen vetëm, por të përfshihen aktivisht në shoqëri.
“Dita Kombëtare e Jetimëve na inkurajon të punojmë edhe më fort për të arritur këto qëllime. Një Shqipëri më e dhembshur e më përfshirëse, është një Shqipëri më e drejtë dhe frymëzuese, është një Shqipëri që u jep jetë ëndrrave të jetimëve dhe të të gjithë fëmijëve të vendit tonë!”, ka shkruar Meta në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Metës:
Të gjithë bashkë, me vendosmëri, për t’i dhënë fund problemeve të jetimëve. Solidaritet çdo ditë. Politika konkrete, përfshirëse e të vazhdueshme, jo thjesht si bamirësi, por si përmbushje e të drejtave ligjore dhe të njeriut.
Kapërcim me kurajo të sfidave në arsim, strehim, punësim e kujdes shëndetësor, për një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë. Jetimët nuk duhet të ndihen vetëm, por të përfshihen aktivisht në shoqëri.
Shembujt e mirë duhet të shtohen dhe të promovohen.
Nga radhët e fëmijëve jetim, kanë dalë personalitete të shkëlqyera publike, në të gjitha fushat, të cilët ia kanë kthyer shumëfish investimin për edukimin e tyre shoqërisë sonë dhe janë shembuj frymëzues për shumë fëmijë në kulturë, sport, shkencë e kudo.
Të forcojmë vlerat e familjes dhe të ndalojmë dramat e reja të shkaktuara nga divorci dhe plagët e tjera sociale, si varfëria dhe emigracioni.
Dita Kombëtare e Jetimëve na inkurajon të punojmë edhe më fort për të arritur këto qëllime. Një Shqipëri më e dhembshur e më përfshirëse, është një Shqipëri më e drejtë dhe frymëzuese, është një Shqipëri që u jep jetë ëndrrave të jetimëve dhe të të gjithë fëmijëve të vendit tonë!
/Epoka e re/