Presidenti Meta: Kemi besim te partnerët tanë evropianë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë një intervistë për “Radio France International” ku ka folur për Forumin e Paqes në Paris, negociatat dhe deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron për NATO-n.
“Kjo nuk është hera e parë që Franca u ka kërkuar vendeve që aspirojnë për t’u bërë anëtare të BE-së të jenë më efikase dhe më të qëndrueshme në plotësimin e reformave. Franca kërkon që procesi i zgjerimit të BE-së të kontrollohet dhe monitorohet më mirë përpara se të mirëpresin anëtarët e rinj. Në të njëjtën kohë, ajo nxit vendet aspirante si Shqipëria të thellojnë reformat në mënyrë që të jenë më të besueshëm, veçanërisht në fushat e imigracionit, drejtësisë, luftës kundër trafikimit, krimit të organizuar, etj.”, ka thënë Meta, duke iu referuar refuzimit për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ndërsa për deklaratën Macronit për NATO-n, Meta është shprehur: “NATO është organizata më serioze, më e besueshmja. Punon shumë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat themelore: lirinë dhe paqen në Evropë dhe në botë. Aleanca Atlantike përballet me sfida të mëdha për të rifituar vendin e saj në një kontekst të vështirë global. Të gjithë duhet të kontribuojnë në mënyrë më inteligjente për ta bërë NATO-n më të suksesshme në misionin e saj”.
Më tutje, Meta ka thënë se Shqipëria ka besim në partnerët e saj evropian. “Shqipëria është e vendosur dhe dëshiron të jetë një faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan. Është në interes të rajonit dhe përgjithësisht të Evropës. Ne kemi besim te partnerët tanë evropianë, veçanërisht tek Franca dhe Gjermania. Për të pasur një Evropë të sigurt dhe të zhvilluar, Ballkani, në të njëjtën kohë, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe paqësor. Historia na e ka treguar gjithmonë këtë. Të gjithë e dimë se në Ballkan filloi Lufta e Parë Botërore.