Presidenti Meta kujton masakrën e Srebrenicës: Fryma e përçarjes të mos gjejë vend në shoqëri
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke e cilësuar atë si më të madhen pas Luftës së Dytë Botërore.
“Dënimi i çdo përpjekjeje për mohimin e këtij gjenocidi, përgjegjësve dhe frymëzuesve të kësaj masakre është e vetmja rrugë që garanton forcimin e bashkëpunimit rajonal, bashkëjetesës etnike dhe fetare, konsolidon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, për të ecur përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Evropian”, shkruan Meta në Facebook.
Nga ana tjetër, kreu i shtetit shton se fryma e urrejtjes, përçarjes, ndasive apo glorifikimi i kriminelëve të luftës, nuk duhet të gjejë më vend në shoqëritë tona. Por, duhet të marrë një dënim të merituar, për të mos lejuar më të tilla masakra të përsëriten në të ardhmen.
E regjistruar 27 vjet më parë, masakra në Srebrenicë ka qenë ndër ngjarjet më të bujshme të shekullit të XX-ë për Ballkanin, ku të vrarë kanë mbetur mbi 8 mijë burra e djem, për shkak të agresionit të qëllimtë serb.
Mijëra viktima ende nuk janë identifikuar nga ajo masakër.