Presidenti Meta: Kurban Bajrami, dëshmi e bashkëjetesës ndërfetare
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një vizitë në selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku është pritur nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Skënder Bruçaj.
Meta ka përcjell urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, duke shprehur njëkohësisht besimin që ditë të tilla të sjellin më shumë mirësi, mirëkuptim, harmoni e dashuri në familjet shqiptare, si dhe të forcojnë modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës mes bashkësive fetare në vendin tonë, shkruan “syri.net”.
Presidenti Meta është shprehur në prani të mediave se Kurban Bajrami është dëshmi e bashkëjetesës ndërfetare. “Gëzuar Kurban Bajramin! Mesazhi që sjell kjo ditë mjaft e rëndësishme e besimit islam, jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë qytetarët tanë, është mesazhi i solidaritetit, i bashkëpunimit, i vëmendjes sidomos për ata të cilët kanë më shumë nevojë për t’u përfshirë, për t’u përkrahur, për t’u ndihmuar. Sot është një ditë, e cila gjithashtu dëshmon për bashkëjetesën tonë të shkëlqyer ndërfetare, që ka në themelet e saj vlerat më të mira njerëzore dhe hyjnore”, ka thënë Meta.