Presidenti Meta nesër informon deputetët rreth negociatave me Greqinë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, do të presë nesër (e premte) në orën 08:15, deputetët e Komisionit të Jashtëm për të biseduar në lidhje me çështjen e negociatave për detin me Greqinë dhe komunikimin në mes të shefit të shtetit dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
Ky vendim i presidentit është marrë pas kërkesës së opozitës në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit për të thirrur edhe Metën në seancë dëgjimore, pas asaj të zhvilluar me ministrin Bushati.
Fillimisht, presidenti Meta ka pranuar kërkesën, por “Top Channel” ka mësuar se këshilltarët e tij kanë këmbëngulur që ai të ndryshonte qëndrim, duke i dhënë presidentit Meta dy arsye.
E para, thirrja për seancë dëgjimore në komisione ka vlerën e një llogaridhënieje para deputetëve dhe kjo, sipas këshilltarëve të presidentit, do ta ulte shefin e shtetit në rangun e një ministri. Dhe e dyta, raportimi i presidentit në një komision të Kuvendit do të përbënte një precedent me rrezik, duke e ekspozuar presidentin ndaj thirrjeve të tjera të mundshme në të ardhmen, edhe për çështje që mund të mos ketë dëshirë të trajtojë.
Si zgjidhje është gjetur që presidenti të ftojë Komisionin e Jashtëm në zyrën e tij për të trajtuar shqetësimet e tij mbi negociatat me Greqinë. I kontaktuar nga “Top Channel”, demokrati Tritan Shehu, që ka kërkuar publikisht thirrjen e presidenti në Kuvend, ka konfirmuar ftesën e Metës duke theksuar se mirëpriste atë. Edhe deputetët socialistë e kanë konfirmuar për “Top Channel” pjesëmarrjen, duke nënvizuar se nuk kishin asnjë kompleks.