Presidenti Meta takohet me kryeparlamentarin Ruçi
Pak minuta pas mbylljes së takimit rreth një orësh është zbardhur biseda ndërmjet presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Me sa duket në fokus kanë qenë zgjedhjet lokale dhe konkretisht data e tyre, por jo vetëm.
Sipas burimeve nga Presidenca, mësohet se Meta, me kërkesën e tij, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Presidenti Meta e ka njoftuar kryetarin Ruçi me konsultimet e zhvilluara prej tij për datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale, shkruan “Balkan Web”.
Gjithashtu, presidenti Meta ia ka bërë me dije kryetarit Ruçi zhvillimin e procedurave transparente për të ftuar kandidatët, të cilët kanë paraqitur interesin për Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, me qëllim përzgjedhjen e një kandidati të përshtatshëm dhe me integritet për këtë pozicion të rëndësishëm.