Presidenti Meta thotë se deputetët janë paguar për shkarkimin e tij
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka mbajtur një konferencë për media, dy ditë pasi Kuvendi ka votuar raportin e Komisionit hetimor për ta shkarkuar atë nga detyra e shefit të shtetit.
Meta ka thënë se ka bërë fushatë vetëm për të mbrojtur zgjedhjet dhe se ka ftuar të gjitha forcat politike që të bashkëpunonin.
“Jam përfshirë në fushatë për mbrojtjen e zgjedhjeve. Janë ftuar të gjitha forcat politike të bashkëpunojnë pa asnjë përjashtim. Janë 30 denoncime zyrtare, janë nisur për ato institucione që kanë për detyrë të hetojnë krimet zgjedhore”, ka thënë Meta, duke e vlerësuar të turpshëm vendimin e Kuvendit për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit.
“Nuk ekziston më një Kuvend i tillë. Ai Kuvend është turpi i gjithë atyre që e krijuan bashkë. E përjashtoj veten në mënyrë kategorike nga ajo që ka ndodhur atë ditë që kam qenë në Gjermani. Është një nga faqet më të zeza ai Kuvend. E nxorën dhe presidentin e Republikës në pritë. Mos të harrojmë që ka shumë arsye që ky Kuvend në ikje të votojë në atë mënyrë, sepse ju e dini që presidenti ndaloi më 8 qershor një gjakderdhje të programuar të 2019-s, pra në prag të zgjedhjeve lokale, e cila do të pengonte që të shpallte Shqipërinë në organizatë terroriste. Por do të flasim më 25 korrik”, është shprehur Meta, duke pretenduar se deputetët që kanë votuar pro shkarkimit të tij kanë marrë lekë.
“Tani u ka plasur cipa fare se po nxjerrin edhe eurot që kanë paguar për të shkarkuar presidentin. U mësuan keq me 120 deputetë, karton-ngritësa. Edhe kur njeriu nuk bashkëjeton dot me llogaridhënien që është themeli i një republike demokratike normale, sepse të gjithë e dinë se kush e nxiti dhunën, kudo në Shqipëri. Të gjithë e dinë kush e nxiti dhunën në Elbasan, Kavajë, dhe se kush planifikonte që atë dhunë më 25 prill ta shtrinte në gjithë territorin e Shqipërisë”, ka thënë Meta.
Presidenti i Ilir Meta që tashme është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka mohuar përfundimet e Komisionit hetimor që kanë sjellë shkarkimin e tij, duke e konsideruar vendimin si një veprim të mazhorancës për të larguar vëmendjen nga krimet zgjedhore.
I pyetur nga gazetarët nëse do ta njohë vendimin e Gjykata Kushtetuese nëse do të shprehet pro shkarkimit të tij, Meta ka thënë: “Kini durim deri më 24 korrik të vitit të ardhshëm. Do të jemi këtu në mënyrë të vazhdueshme”, ka thënë Meta.