Presidenti ndan “Urdhrin e Lirisë” për Shasivar Makollin – Çalin
Në trevjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Shasivar Makollit – Çalit, presidenti Hashim Thaçi i ka ndarë “Urdhrin e Lirisë”.
Ndërkaq Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila edhe ka organizuar sot akademi përkujtimore për Çalin, ka ndarë mirënjohje për veprimtarin e tij në shërbim të çështjes kombëtare dhe luftës për liri.
Këtë mirënjohje e ka pranuar vajza e Shasivar Makollit, Merita.
Në këtë akademi përkujtimore për Çalin e cila u mbajt në Teatrin Kombëtar në Prishtinës, mori pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, gjenerali Kudusi Lame, ish-drejtuesi i Lëvizjes Studentore të ‘97-s Driton Lajçi, përfaqësues të OVLUÇK-së, ministra, deputetë, përfaqësues partish, bashkëveprimtarë të Çalit dhe familjarë.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se veprimtaria kombëtare e Shasivar Makollit i ka bashkuar sot në këtë akademi përkujtimore.
Ai ka thënë se Shasivar Makolli ka qenë pjesëmarrës i të gjitha organizimeve kombëtare, raporton “Epoka e re”.
Veseli ka thënë se Çali hynë në kategorinë e atyre që e duan atdheun pa kushte. “Përherë do ta kujtojmë Çalin”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përgëzuar veteranët për organizmin e kësaj akademie për Çalin.
“Përgëzoj veteranët që nuk i harrojnë veteranët dhe luftëtarët. Shasivari e ka pasur pikën më të dobët bacën Adem Demaçi, sepse ai është përkujdesur për çdo lëvizje të tij. Shasivar Makolli ishte pjesë e pandarë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Lavdi Shasivarit dhe heronjve të luftërave”, ka thënë Ahmeti.
Ish-drejtuesi i Lëvizjes Studentore të ‘97-s, Driton Lajçi, ka thënë se atdheu ynë ka pasur gjithmonë heronj të heshtur, dhe njëri ndër ta ishte edhe Shasivar Makolli.
Lajçi ka treguar se Çalin e kanë pasur krah të fortë gjatë aktiviteteve të Lëvizjes Studentore.
“Ai e bënte gjithnjë punën e vet me trimëri, fisnikëri dhe humanizëm. Kështu kishin bërë edhe të parët e tij. Ai dhe shtëpia e tij ka qenë derë e lëvizjes kombëtare brez pas brezi. Strehues, mbrojtës dhe shoqërues i plotë figurave e drejtuesve të kombit”, ka thënë Lajçi, i cili ka treguar edhe momente të tij, kur kishte udhëtuar së bashku me Çalin për të marrë pjesë në takime të ndryshme jashtë vendit.
“Pa këta heronj Lëvizja Studentore s’do të bëhej ajo që u bë, sikurse edhe lufta çlirimtare për liri nuk do të ishte aq e suksesshme. Të tillë na duhen edhe sot por në kontekstin e kohës. Prandaj në emër të gjeneratës sime dhe Lëvizjes Studentore qoftë i përhershëm kujtimi për Shasivar Makollin. Të faleminderit Çal.
Gjenerali Kudusi Lame ka thënë se Shasivar Makolli ka luajtur rolin kombëtar me mjeshtëri.
Lame ka treguar se Shasivar Makolli asnjëherë nuk ka rrahur gjoks për çfarëdo aktiviteti madhor që ka bërë për kombin.
“Ishte gjithnjë në rrjedhjen e vrullshme madhore. Pa bërë deklarata se unë e organizova ose unë dola në ballë. Shasivar Makolli ka punuar pa reshtur. Tërë jetën ia ka kushtuar kombit shqiptar”, ka thënë gjenerali Lame.
Ai ka shtuar se jo rastësisht ndodhej afër fuqisë kombëtare, Adem Demaçi. “Shasivar Makolli bënte vepra të mëdha. Do të mbetet shembull se për kombin duhet punuar gjithnjë”, ka thënë Kudusi Lame.
Nënkryetari i OVLUÇK-së, Migjen Shala, në fjalën e tij ka thënë se Shasivar Makolli asnjëherë nuk u ndalë së vepruari për lirinë e Kosovës.
Ai ka thënë se shtëpia e Shasivar Makollit ishte vend për çështjen kombëtare. “Vepra e tij do të kujtohet gjithnjë. Ju familje, të jeni krenar për të”, ka thënë Shala.
Të pranishmit në këtë akademi i ka përshëndetur vajza e Shasivar Makollit, Merita, e cila tha se është krenari me pa kaq burra të mëdhenj të kombit në këtë sallë të vogël.
Ajo tregoj edhe një rast kur babai i saj vinte nga udhëtimi prej Shqipërisë. “Kur kthej nga Shqipëria i merreshim erë rrobave dhe trupit të tij, sepse e ndjenim erën e Shqipërisë. Unë sot nga këtu uroj që brezat e ardhshëm, fëmijët tanë të rriten me atë aromë të ëmbël që e kemi ndier në rrobat e babës tanë”, ka thënë Merita Shasivari, vajza e Çalit.
/Epoka e re/