Presidenti: Në veri do të shkoj sa herë ta shoh të nevojshme

30 shtator 2018 | 18:55

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një konferencë për medie, në të cilën ka folur për vizitën që ka pasur dje në veri, për liberalizimin e vizave dhe për formimin e ushtrisë.

“Dje edhe njëherë sikur herëve tjera, kam vizituar pjesën veriore të Kosovës dhe do ta vizitojë përsëri sa herë që e shoh të nevojshme në agjendën time shtetëror. Kurrë askujt nuk i kam marrë leje për një gjë të tillë dhe kjo vizitë ka qenë shumë transparente. Sa i përket lejeve këtë nuk duhet të bëjë askush nga Kosova dhe qytetarët e saj. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë për lëvizje të lirë në çdo cep të terrorit të Republikës së Kosovës. Ne, Kosova jemi ata që japin leje të tjerëve që të vizitojnë Kosovën kur ne e shohim të arsyeshme”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi ka komentuar protestën e Lëvizjes Vetëvendosje që u mbajt kundër ndryshimit të kufijve me Serbinë. Sipas tij, motivi i protestës është i paqëndrueshëm.

“Motivi është i paqëndrueshëm për arsye se unë vetëm respektoj të drejtën legjitime të Luginës. Nuk e besoj se ata njerëz dje ishin kundër Luginës. Nëse dikush ka menduar protestë kundër Thaçit, atëherë Thaçi kërkon vetëm bashkimin me Luginën. Gjithmonë i kam sjell vetëm suksese Kosovës me marrëveshjet që kam bërë. Edhe kur të arrij marrëveshjen për njohje globale çdo njeri do të ndihet mirë e krenar e do të festojë. Mund të jetë dikush i zemëruar por shteti do të ecën përpara”, ka deklaruar Thaçi, raporton “Epoka e re”.

Thaçi shtoi se arritja e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë është rezultat i përkushtimit maksimal në procesin e dialogut.

Ai ka shtuar se qëndron prapa idesë për ndryshimin e kufijve që sipas tij, nuk simbolizon ndarje, si dhe ftoi për unitet politik lidhur me këtë çështje.

“Dallimet aktuale të spektrit politik nuk përfaqësojnë vlera, por janë për keqardhje, por unë kam besim se kjo situatë do të kalohet në ditët e ardhshme nga njerëzit e përgjegjshëm institucionalisht”, ka thënë ai.

Thaçi, në fund shtoi se procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës po shkon drejt fundit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shënimi i një autogoli është një lloj “drame” në botën…