Presidenti ngushëllon familjen e të vdekurit nga koronavirusi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngushëlluar familjen Haliti nga Dumnica e Podujevës, me rastin e vdekjes së familjarit të tyre nga koronavirusi.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen nga Dumnica e Podujevës, anëtari i së cilës është viktima e parë e virusit COVID-19 në Kosovë. Institucionet shëndetësore i falënderoj për përkushtimin, vendosmërinë dhe profesionalizmin që po tregojnë në këto rrethana të rënda. Ne duhet t’i ndihmojmë mjekët, duke qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona dhe duke i zvogëluar mundësitë e përhapjes më të madhe të këtij virusi. Institucionet e shtetit duhet të jenë të gatshme, që në rast nevoje të shpallet menjëherë Gjendja e Jashtëzakonshme. Duke punuar së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë!”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.