Presidenti nigerian: Jam gjallë, jam i vërteti dhe jo klonim!
Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, ka mohuar akuzat se ai ka vdekur dhe është zëvendësuar nga një sozi, duke thyer kështu heshtjen pas thashethemeve që qarkullonin në mediet sociale prej muajsh.
Buhari, që do të rikandidojë në zgjedhjet e shkurtit, ka kaluar 5 muaj në Britaninë e Madhe vitin e kaluar, pasi është trajtuar për një sëmundje që është mbajtur e fshehtë.
Një teori që ka qarkulluar shumë në mediet sociale, e që është përmendur edhe nga kundërshtarët e tij politikë, është se ai është zëvendësuar nga një sozi nga Sudani, i quajtur Jubril.
Nuk janë dhënë prova për këto aludime, por video në të cilat paraqitet pretendimi vazhdojnë të shikohen me mijëra herë në “Youtube” dhe “Facebook”.
“Unë jam i vërteti, ju siguroj. Shumë shpejt do të festoj ditëlindjen time të 76-të dhe do të jem ende i fortë. Shumë njerëz kanë shpresuar që unë të vdisja gjatë sëmundjes, por ata që kanë përhapur thashethemet janë injorantë dhe të pafe”, ka thënë Buhari.