Presidenti nuk është rehat në karrigen e vet
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se mosrehatia që e ka presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me ulësen e tij, e ka një zgjedhje që janë zgjedhjet, pasi ai e ka një nostalgji për pozitën e kryeministrit.
Kurti ka thënë se thyerja e madhe në mes tij dhe presidentit Hashim Thaçi ndodhi me rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në ditët e para kur u raportuan rastet e të infektuarve me virusin Korona në Kosovë. Sipas Kurtit, ai kërkonte të shpallej gjendja e jashtëzakonshme në kohën kur ishin 19 të infektuar dhe asnjë i vdekur.
“Mua më thirri në telefon dhe kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për të marrë kompetenca, pra qartazi nuk është rehat në karrigen e vet dhe pandeminë e pa si mundësi për ngritjen e tij, e që unë nuk e lejova”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ka përsëritur se marrëveshja Kosovë – Serbi për ndarjen e vendit tonë ekziston.
“Si kryeministër nuk kam pasur ofertë që të shkoj në ShBA për dialog me Serbinë, por ofertën e kam pasur që ta marr një karrige e të ulem në tavolinën ku ishte marrëveshja”, ka thënë Kurti.
Kurti, duke u përgjigjur nëse vendimi i Kushtetueses i jep të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për kryeministër, ka thënë se nuk e imagjinon do të se si mund të shkruhet një vendim i tillë pa qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Kurti në T7 ka folur edhe për koalicionin LDK, AAK, Nisma, për të cilin ka thënë se është koalicion që i ka humbur zgjedhjet dhe i ka ikur treni.
“Ky koalicion është një lloj kombinim i frustrimit dhe dëshpërimit. Në zgjedhjet e kaluara është dashur t’i mundim një nga një, tash lirisht le të bëhen bashkë, edhe presidentin le ta marrin”, ka shprehur mendimin ai.