Presidenti përkujton masakrën e Izbicës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar sot masakrën e fshatit Izbicë, në të cilin, më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe masakruan 147 burra të rinj dhe pleq.
Fjala përkujtimore e presidentit:
Më 28 mars 1999 forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës. Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror. Në mesin e të vrarëve kishte edhe persona të rrethit tim familjar. Sot , 21 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare. Kjo është padrejtësia më e madhe për familjet që pësuan në vitet 1998 dhe 1999, ku shteti serb kreu masakra, gjenocid dhe dëbim masiv të shqiptarëve nga Kosova. Liria e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e mijëra martirëve anembanë Kosovës. HTH