Presidenti priti gjeneralin e FSK-së, temë koronavirusi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në Presidencë komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Ramën, me të cilin ka biseduar për nivelin e gatishmërisë së FSK-së për të ndihmuar për përballjen me rrethanat e krijuara nga përhapja e Covid 19.
Presidenti Thaçi kërkoi që FSK-ja të jetë e mobilizuar, të rrisë deri në maksimum nivelin e gatishmërisë dhe të ndihmojë në përballjen dhe tejkalimin e krizës.
Në njoftimin për media thuhet se gjeneral Rama u shpreh se FSK-ja është në gjendje gatishmërie dhe ka kapacitetet që të përballet me çfarëdo nevoje si me kapacitetet e vet mjekësore ashtu edhe me kapacitetet logjistike.
“FSK-ja është e gatshme të veprojë në çdo kohë, në çdo pjesë të Kosovës”, u shpreh gjeneral Rama.
Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur me nivelin e gatishmërisë së FSK-së dhe kapacitetet për të reaguar në çdo situatë.
Mobilizimi i FSK-së është hapi i fundit para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti i Republikës së Kosovës.