Presidenti: Prodhuesit vendorë janë themeli i zhvillimit të Kosovës
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të ri të fushatës “Made in Kosova”, të organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.
Thaçi ka thënë se kjo fushatë po vjen në kohën kur po bëhemi gati të shënojmë dekadën e parë si shtet dhe kur fillojmë t’i numërojmë sukseset e shtetit gjatë këtyre vjetëve.
“Sigurisht që një nga sukseset e dalluara është edhe shtimi i prodhimtarisë vendore. Kjo para së gjithash është meritë e vetë prodhuesve vendorë, ndërmarrësve kosovarë, që me përkushtimin e tyre, me kreativitetin e tyre, kanë vënë themelet e prodhimtarisë së suksesshme në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi. Kreu i shtetit ka theksuar se institucionet janë munduar që të krijojnë ambient sa më të mirë për këto biznese, që të mund të operojnë me sukses. “Jemi të vetëdijshëm që ende duhet edhe shumë punë për të bërë, por vlerësimet që i marrim sikur ai i Bankës Botërore për përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes, tregojnë se jemi në rrugën e duhur”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se kur e krahasojmë të sotmen me atë ku ishim para dy dekadave, duhet të jemi krenarë me të arriturat tona.“Kemi përpiluar ligje dhe po forcojmë sundimin e ligjit, që të mbrojmë investitorët dhe bizneset. Kemi ndërtuar rrugë e autostrada. Javën e kaluar u finalizua marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, që do të sjellë mbi 1 miliardë euro investime të drejtpërdrejta, stabilitet energjetik dhe vende të reja pune. Kjo do të reflektojë pozitivisht në tërë ekonominë e vendit, por edhe në imazhin e Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se investimet kryesore janë ato që bëhet nga vetë kosovarët, nga afaristët dhe biznesmenët vendorë. “Ju jeni themeli i zhvillimit të Kosovës. Vetëm mbi themelet e sigurta që shtroni ju do të ndërtohet ekonomia e shëndoshë e Kosovës. Për më tepër, sukseset tuaja i kanë hapur rrugë edhe investitorëve të huaj. Të dhënat për shkëmbimin tregtarë me shtetet e tjera tregojnë rritje të eksporteve kosovare. Ndonëse ende nuk ka arritur shkallën që dëshirojmë, evident është edhe trendi pozitiv në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Për fushatën “Made in Kosova”, presidenti Thaçi ka thënë se ajo po e informon blerësin në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës, për prodhimet tona, për cilësinë e tyre dhe për mundësitë që ofron Kosova.“Duke e informuar blerësin e Kosovës e forcojmë pozitën e prodhimeve tona në tregun vendor, por edhe më gjerë. Në hap me forcimin e shtetit të Kosovës janë përmirësuar edhe prodhimet vendore. Prodhimet kosovare sot krahasohen për nga cilësia me prodhimet e rajonit dhe të BE-së. Fundja, ky duhet të jetë edhe synimi ynë. Të jemi në Bashkimin Evropian edhe me prodhimet tona, me kualitetin tonë, me punën tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit u ka thënë prodhuesve vendorë se aty ku ata i hapin dyert ata, hapen dyert edhe për tërë Kosovën.