Presidenti që trazoi botën, 15 vendimet e Trumpit

09 shkurt 2025 | 08:46

Java e tretë e mandatit të dytë të Donald Trumpit është shënuar nga veprime të mëdha prej tij dhe ekipit të tij.

Nga shpallja e synimeve të ShBA-së për të ardhmen e Gazës dhe shkurtimi masiv i ndihmave të huaja, Trump, këshilltari i tij Elon Musk dhe pjesa tjetër e ekipit kanë vazhduar me agjendën e tyre.

Më poshtë gjeni 15 lëvizjet e Trumpit të kësaj jave.

Propozoi që ShBA-ja ta ‘marrë përsipër’ Gazën

Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se SHBA do të “marrë përsipër” dhe “zotërojë” Gazën, duke rivendosur popullsinë e saj palestineze në këtë proces.

Trump propozoi zhvillimin e territorit, të shkatërruar pas 15 muajsh lufte midis Izraelit dhe Hamasit, në “Rivierën e Lindjes së Mesme”.

“Rripi i Gazës do t’i dorëzohej Shteteve të Bashkuara nga Izraeli në përfundim të luftimeve”, shtoi Trump.

Ai sugjeroi se zhvendosja e palestinezëve do të ishte e përhershme, por zyrtarët e administratës sugjeruan më vonë se çdo zhvendosje do të ishte vetëm e përkohshme.

Ndërsa ai nuk duket se po mbron deportimin e detyruar të civilëve – që do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar – Trump po inkurajon palestinezët të largohen.

Planifikoi të dërgojë në shtëpi mijëra punonjës të USAID-it

Mijëra punonjës në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), agjencia kryesore e qeverisë për ndihmën e huaj, pritet të shkojnë në shtëpi.

Shkurtimet e propozuara do të prekin shumicën dërrmuese të fuqisë punëtore të agjencisë, duke lënë vetëm disa qindra staf thelbësor nga një total prej rreth 10,000 punonjësish në mbarë botën.

Bëhet e ditur se masa vjen pasi punëtorëve iu kërkua të qëndronin jashtë selisë së agjencisë në Uashington në fillim të kësaj jave.

Administrata Trump thuhet se synon të bashkojë agjencinë, e cila shpërndan miliarda dollarë ndihma globalisht, me Departamentin e Shtetit.

Vendosi tarifa ndaj Kinës dhe tërheqi kërcënimet ndaj fqinjëve

Trump vendosi një tarifë 10% për importet kineze por ndaloi kërcënimin e tij për zbatimin e tarifave 25% për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika për 30 ditë, pasi udhëheqësit e këtyre vendeve u zotuan të rrisin sigurinë kufitare.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ra dakord të përforcojë kufirin SHBA-Kanada për të shtypur migrimin dhe rrjedhën e drogës vdekjeprurëse fentanil.

Ndërsa presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ra dakord të forconte kufirin verior të vendit me trupa dhe në këmbim SHBA do të kufizonte rrjedhën e armëve në Meksikë.

Tarifat, të cilat disa ekspertë sugjerojnë se mund të përkeqësojnë inflacionin, ishin pjesë e platformës së fushatës së Trumpit përpara zgjedhjeve të nëntorit, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

E shtyu përpara planin për të nxitur punonjësit federalë të japin dorëheqjen

Administrata Trump u kishte ofruar stimuj punonjësve federalë që të jepnin dorëheqjen vullnetarisht brenda një afati të caktuar – pjesë e një përpjekjeje për të reduktuar stafin e qeverisë.

Megjithatë, një gjykatës amerikan e ndaloi përkohësisht planin disa orë përpara afatit, duke e ndërprerë atë deri në një seancë dëgjimore.

Disa nga më shumë se dy milionë punëtorë civilë të qeverisë federale kanë shprehur konfuzion në lidhje me kushtet e marrëveshjes, të cilat administrata thotë se do t’i lejojë ata të marrin paga dhe përfitime deri në shtator në këmbim të dorëheqjes.

Ndërkohë, kritikët kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e ofertës dhe disa sindikata federale të punonjësve kanë këshilluar anëtarët që të kenë kujdes rreth pranimit të marrëveshjes.

Sanksionoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Trump nënshkroi një urdhër për vendosjen e sanksioneve ndaj disa prej anëtarëve të stafit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC). Sanksionet vendosin kufizime financiare dhe të vizave për individët dhe familjet e tyre që ndihmojnë në hetimet e ICC-së ndaj qytetarëve ose aleatëve amerikanë.

Gjykata me bazë në Hagë ndjek penalisht gjenocidet, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Së fundmi, ajo lëshoi ​​urdhra arresti për një komandant të Hamasit dhe Netanyahun e Izraelit lidhur me krimet e dyshuara të luftës në Gaza, të cilat Izraeli i mohon.

Urdhëroi sulme kundër ISIS-it në Somali

Presidenti amerikan urdhëroi sulme ajrore ushtarake ngaj ISIS-it në Somalinë verilindore më 1 shkurt. Ai tha se “shumë terroristë” u vranë dhe në asnjë mënyrë nuk u dëmtuan civilët.

Zyra e presidentit të Somalisë përshëndeti “mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”.

U tërhoq nga institucionet e Kombeve të Bashkuara

Trump gjithashtu ndërmori veprime për t’i dhënë fund përfshirjes së SHBA-së në disa institucione të OKB-së.

Republikani nënshkroi një urdhër ekzekutiv për tërheqjen e SHBA-së nga agjencia kryesore e OKB-së për refugjatët palestinezë, ose UNRWA, për të cilën Izraeli ka qenë shumë kritik.

I njëjti urdhër thoshte se SHBA nuk do të ishte më pjesë e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) dhe do të kryente një rishikim të anëtarësimit të saj në Organizatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të OKB-së (UNESCO) brenda 90 ditëve.

Dërgoi aeroplanin e parë me emigrantë në Guantanamo

SHBA dërgoi grupin e parë të emigrantëve në Gjirin e Guantanamos të martën, pasi Trump njoftoi planet për të zgjeruar ndalimin e emigrantëve në bazën e marinës amerikane në Kubë.

Masa vjen pasi Trumpi urdhëroi që një strukturë ekzistuese e ndalimit të emigrantëve në bazë të zgjerohej për të mbajtur rreth 30,000 njerëz.

Fluturimet e dëbimit gjithashtu çuan emigrantë edhe në Indi këtë javë.

Ukrainës iu kërkuan minerale të rralla në këmbim të ndihmës ushtarake

Trump tha se donte që Ukraina të garantonte furnizimin e më shumë metaleve të tokës së rrallë në këmbim të 300 miliardë dollarëve për të mbështetur luftën e saj kundër Rusisë.

“Ne duam që ajo që vendosëm të shkojë në termat e një garancie. Ne po kërkojmë të bëjmë një marrëveshje me Ukrainën ku do të sigurojmë atë që ata duan në këmbim të mineraleve të rralla”, tha Trump.

Raportohet se Ukraina ka depozita të mëdha të uraniumit, litiumit dhe titanit, të cilat mund të përdoren për mbrojtjen dhe prodhimin e elektronikës.

Në përgjigje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vendi i tij ishte i hapur për investime nga kompanitë amerikane.

Ndaloi konkurrentët transgjinorë nga sportet e femrave

Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parandalon gratë transgjinore të konkurrojnë në kategoritë e sporteve për femra.

Urdhri përshkruan udhëzimet, rregulloret dhe interpretimet ligjore kryesisht rreth shkollës së mesme, universitetit dhe sporteve bazë.

Megjithatë, Trump tha se urdhri do të përfshijë Lojërat Olimpike 2028 në Los Angeles, duke shtuar se ai do të refuzojë vizat për atletët olimpikë transgjinorë që përpiqen të vizitojnë SHBA-në për të konkurruar.

Çliroi ujin nga digat në Kaliforni

Trump urdhëroi Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë të lëshojë miliarda litra ujë nga dy rezervuarë në Luginën Qendrore të Kalifornisë pas zjarreve vdekjeprurëse në Los Angeles në janar.

Presidenti kishte pretenduar se Kalifornia kishte ndaluar furnizimet me ujë që mund të kishin bërë një ndryshim në luftimin e zjarreve, të cilat guvernatori i shtetit Gavin Newsom dhe zyrtarë të tjerë e kundërshtuan.

Trajtoi paragjykimet anti-kristiane

Trump nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që synonte “të mbronte liritë fetare të amerikanëve dhe t’i jepte fund anti-krishterizmit”.

Ai emëroi Prokuroren e Përgjithshme Pam Bond për të udhëhequr një grup pune për të “çrrënjosur” atë që ai e quajti “paragjykim anti-kristian” në qeverinë federale.

Ndërhyri në një mosmarrëveshje në botën e golfit

Trump, një lojtar i pasionuar i golfit që zotëron fusha anembanë botës, thuhet se ndërhyri në një mosmarrëveshje midis organizatorit të kampionatit PGA Tour dhe serisë së tij rivale LIV Golf.

Pasi nisja e LIV Golf çoi në një përçarje, rivalët hynë në negociata dhe njoftuan një “marrëveshje kornizë” për një bashkim, por një afat për të përfunduar atë marrëveshje kaloi.

Këtë javë, PGA Tour tha se ishte “më afër një marrëveshjeje” me LIV Golf pasi i bëri thirrje Trump që të ndërhynte.

“Ne i kërkuam presidentit që të përfshihet për të mirën e lojës, të mirën e vendit dhe për të gjitha vendet e përfshira”, thuhet në deklaratë.

“Ne jemi mirënjohës që udhëheqja e tij na ka sjellë më pranë një marrëveshjeje përfundimtare, duke hapur rrugën për ribashkimin e golfit profesional për meshkuj”, shton ajo.

Hoqi tekstet për ndryshimet klimatike nga faqet e internetit të qeverisë

Duke filluar nga java e kaluar, administrata Trump urdhëroi disa faqe interneti të agjencive qeveritare amerikane të heqin referencat ndaj ndryshimeve klimatike.

Ajo ka prekur faqet e internetit të departamenteve të transportit, mbrojtjes, shtetit dhe bujqësisë, të cilat menaxhojnë shërbimin pyjor.

Disa përmbajtje klimatike mbetën në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), NASA dhe faqet e departamentit të energjisë.

Këtë javë, disa punonjës në Administratën Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) u urdhëruan gjithashtu të ndalonin përkohësisht komunikimin me shtetas të huaj.

Rriti aksesin për Doge të Musk

Administrata Trump u dha gjithashtu anëtarëve të Doge akses në sistemin federal të pagesave që kontrollon fluksin e triliona dollarëve në fonde çdo vit.

Raportet sugjeruan se anëtarëve të Doge, i cili nuk është një departament zyrtar qeveritar, iu dha akses në një sistem të departamentit të thesarit të SHBA-së që përmbante informacione të ndjeshme të miliona amerikanëve.

Nisma e re e Musk është përfshirë shumë në trazirat e qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jeta është shumë e shkurtër! Sidomos këto 10 shqetësime të…