Presidenti reagon rreth ‘përleshjes sporadike’ të vëllait të tij
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth incidentit ku ishte i përfshirë vëllai i tij, Gani Thaçi.
Thaçi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se është i njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një përleshje sporadike fizike.
“Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Postimi i plotë i tij:
Jam njoftuar për përfshirjen e vëllait tim në një përleshje sporadike fizike. Asnjëherë nuk do ta arsyetoj asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky. Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin. Vetëm kështu ndërtojmë shtet ligjor, në të cilin të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe drejtësisë.