Presidenti: Rifat Berisha e kishte angazhim jetësor bashkimin me Shqipërinë
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për heroin Rifat Berisha.
Presidenti Thaçi ka thënë se në prag të njëzetvjetorit të çlirimit të Kosovës, po përkujtojmë një figurë të ndritur të historisë kombëtare, Rifat Berishën, nënkryetarin e Konferencës së Bujanit, nënkryetarin e Këshillit Antifashist të Kosovës.
“Përcaktimi i drejtë jetësor, kombëtar dhe politik gjithmonë e ka një bazament për çdo personalitet të lëvizjes kombëtare. Fshati Berishë ishte vendlindja e Tahir Berishës, xhaxhait të Rifatit, njërit nga njerëzit më të urtë dhe më të mençur që ka prodhuar gjeniu ynë popullor. Xhaxhai i tij ishte përhapës i librit shqip në kohën e errët të mbretërisë jugosllave, i lidhur me patriotët dhe intelektualët më të shquar të kohës, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Shtjefën Gjeçovi dhe të tjerë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se burimi i parë i frymëzimit dhe edukatës atdhetare për Rifat Berishën ishte pikërisht ky burrë i matur dhe me shumë inteligjencë natyrore.
Kreu i shtetit theksoi se shkollimi në Shqipëri i forcoi edhe më shumë tiparet atdhetare dhe e skaliti karakterin e Rifat Berishës. “Edhe pse kalonte vite në Shqipërinë, ai asnjëherë nuk e hoqi nga mendja Kosovën, e cila nën mbretërinë jugosllave nuk kishte asnjë të drejtë kombëtare. Si oficer i ri, Rifati shërbeu në sektorin Armës së Kufirit”, tha ai.
Duke njohur çdo pëllëmbë të kufijve të Shqipërisë, presidenti Thaçi shtoi se Rifati e pa për së afërmi realitetin e copëtimit dhe ndarjes së tokave shqiptare.
Ai ishte kufiri më tragjik në Ballkan, siç thoshte vetë ai, kufi me “piramida të huaja në trojet shqiptare”.
“Si nënprefekt i rrethit të Gjilanit, Rifat Berisha formalisht ishte pjesë e pushtetit qendror të Tiranës së atëhershme, por me mendje, zemër dhe veprime ai ishte një antifashist i bindur. Gjatë kësaj periudhe ai fshehtas bashkëpunoi me antifashistët shqiptarë, përkrahu dhe ndihmoi popullatën shqiptare të shpërngulur nga trojet e pjesës juglindore, që ishin nën pushtimin bullgar. Rifat Berisha që herët vërejti hilet e komunistëve serbë dhe jugosllavë. Në Konferencën e Bujanit, nga e cila zgjidhet nënkryetar, Rifat Berisha këmbënguli që të mos nënshkruhet Rezoluta pa u përfshirë në të qartë parimi i të drejtës për vetëvendosje dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, pohoi presidenti Thaçi.
Vendimet e Konferencës së Bujanit dhe formimi i këshillave nacional çlirimtarë anembanë Kosovës në frymën e saj, kreu i shtetit tha se ishin bërë angazhim jetësor i Rifat Berishës deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, si angazhim i mbështetur në shpresë dhe besim për bashkim me Shqipërinë.
“Por, Beogradi zyrtar e kishte planifikuar mospërfilljen e vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës. Anulimi i Rezolutës së Bujanit dhe shpallja e administrimit ushtarak më 8 shkurt të vitit 1945 janë ndër dokumentet më antishqiptare dhe më të egra të kreut komunist serb”, tha ai.
I pari i vendit shtoi se nuk ka gjë më absurde dhe paradoksale se të jesh i rreshtuar nga ana e drejtë e historisë globale dhe të pësosh në mënyrën më të keqe nga ana kombëtare. “Kjo ndodhi me Kosovën. Rezistenca heroike e brigadës së Shaban Polluzhës u shua me gjak. Për antifashistët shqiptarë të Kosovës që nuk u shndërruan në vegla të segmenteve të pushtetit jugosllav dhe serb, pas luftës filloi ndjekja e tyre me vrasje, burgosje dhe forma tjera persekutimi”, tha ai.
Rifat Berisha, ndonëse deputet në nivel republikan dhe kryetar komisionesh ekzekutive, sipas presidentit Thaçi, nuk pranoi që të përpunohet dhe të thyhet asnjëherë.
“Ai së bashku me disa atdhetarë krijuan Frontit Kombëtar Shqiptar, me synim që të organizojnë kryengritje popullore kundër regjimit komunist jugosllav. Duke parë që ai mbetej një atdhetar i pastër, duke parë ndikimin e tij në masat e gjera, pas vëzhgimit të gjatë, organet e pushtetit ushtarak përpiqen ta arrestojnë. Në fakt 17 maji i vitit 1949 e tregoi qartazi faktin se me çfarë ideali ishte rritur, edukuar dhe përcaktuar Rifat Berisha. Ai nuk do të dorëzohej i gjallë tek organet e OZNA-s. Përkundrazi. Rifati dhe bashkëluftëtarët e tij besnikë në idealin për realizimin e të drejtave kombëtare, zgjodhën rezistencën e armatosur”, ka thënë presidenti Thaçi.
I rrethuar me forca të shumëfishta policore dhe ushtarake, presidenti Thaçi tha se Rifat Berisha së bashku me Mustafë Berishën, Islam dhe Brahim Berishën bien në istikamet e nderit, duke rezistuar deri në sekondën e fundit të jetës.
“Përballja me pushkë me pushtetin serb tregoi më së miri idealin jetësor të Rifat Berishës. Synimi për të kaluar në Shqipëri, nuk u realizua”, shtoi ai.
Një kapitull i veçantë i dhimbjes dhe sakrificës, sipas presidentit Thaçi, janë anëtarët e gjallë të familjes Berisha, burrat, djemtë, gratë dhe bijat. “Ata u bastisën sistematikisht, u vranë, u burgosën, u torturuan, u dëbuan nga puna, u privuan nga e drejta e shkollimit pa përjashtim gjinie dhe një pjesë e tyre kaloi në Shqipëri. U desh të binte sistemi komunist jugosllav dhe Kosova të çlirohej, që figura e Rifat Berishës të nderohet publikisht. Ajo kohë kur anatemoheshin dhe etiketoheshin me lloj epitetesh Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Rifat Berisha, Imer Berisha e personalitete tjera kombëtare ka marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Me këtë akademi, presidenti Thaçi tha se po ia bëjnë nderimet më të larta institucionale këtij atdhetari dhe nacionalisti të palëkundshëm.
Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ndau urdhrin “Hero i Kosovës” për atdhetarin Rifat Berisha.
/Epoka e re/