Presidenti i Rusisë arrin në Serbi
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka arritur në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit ku është pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Tre aeroplanë “MIG” të Serbisë e kanë përcjellë aeroplanin presidencial prej kufirit ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.
Të dy presidentët prej aeroportit kanë vazhduar rrugën për në qendër të Beogradit.
Sipas agjendës së vizitës, të paraqitur nga Presidenca e Serbisë, fillimisht do të mbahet një ceremoni e vendosjes së kurorave në varrezat e çlirimtarëve të Beogradit dhe pastaj një mirëpritje zyrtare përpara “Pallatit të Serbisë” në Beogradin e Ri.
Të dy presidentët do të takohen kokë më kokë, ndërkaq një orë më pas do të mbahet një takim i përbashkët i në mes delegacioneve nga Rusia dhe Serbia.
Shkëmbimi i dokumenteve dypalëshe të nënshkruara do të mbahet në prani të dy krerëve të shtetit dhe më pas ceremonia e dekorimit me Urdhrin e “Aleksandër Nevski” të Presidentit të Serbisë nga ana e Vladimir Putinit. Të dy presidentët pritet të bëjnë edhe deklarata për mediet.
Kjo vizitë e Putinit nga ana e Serbisë, por edhe disa qarqeve ndërkombëtare, është parë si një vizitë e rëndësishme politike në një kohë kur ekziston një mundësi në rritje e angazhimit të drejtpërdrejtë të fuqive kryesore në botë për zgjidhjen e çështjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Para disa ditësh, Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke destabilizuar Ballkanin duke treguar “rol dominues” në këtë rajon, kanë raportuar gazetat serbe.
Putin i ka bërë këto komente për gazetat serbe, “Veçernje Novosti” dhe “Politika”, të publikuara më 15 janar. Komentet e presidentit rus janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Kremlinit.
Në deklaratat e tij është theksuar edhe njëherë lidhja e ngushtë historike e Moskës me Serbinë, si dhe paralajmërimi për ndikimin perëndimor.
Komentet e tij kanë qenë edhe në kundërshtim me paralajmërimet nga Uashingtoni dhe nga disa vende evropiane që janë të shqetësuara për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin, duke përfshirë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë.
Në këto intervista, Putin ka rikujtuar edhe bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999 gjatë luftës në Kosovë, si dhe pavarësinë e Kosovës.
“Për aq kohë sa situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore që tregojnë rolin e tyre dominues, vazhdon të jetë faktor serioz i destabilizimit”, është cituar të ketë thënë Putini /Rel/