Presidenti serb: Azerbajxhani e ka pezulluar furnizimin e Serbisë me gaz

11 janar 2025 | 17:45

Azerbajxhani e ka pezulluar furnizimin e Serbisë me gaz për shkak të disa problemeve me të cilat po përballet, njoftoi të shtunën presidenti serb, Alleksandar Vuçiq.

“Jemi njoftuar nga Azerbajxhani se, për shkak të problemeve që kanë, nga sot nuk mund të llogarisim më në 1.7 milion metër kub gaz që vjen në vendin tonë çdo ditë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se Serbia tani do të fillojë t’i shpenzojë rezervat e veta derisa Azerbajxhani t’i zgjidhë problemet.

“Ishte zgjuarsi që ne grumbulluam rezerva. Shpresoj që në një ose dy muaj ta rregullojnë këtë. Nëse jo, llogarisni se në katër muajt e ardhshëm do të duhet të shtojmë dhe të përdorim rezervat. Nuk do të ketë mungesë as gazi, as nafte”, tha Vuçiq.

Vendimi i Azerbajxhanit vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara e vendosën Industrinë Serbe të Naftës në listën e sanksioneve, duke këmbëngulur që kompania serbe të mos vazhdojë të jetë në pronësi të Rusisë.

Serbia nënshkroi marrëveshje me Azerbajxhanin për furnizim me gaz natyror në shtator të vitit 2024, si pjesë e përpjekjeve për t’i diversifikuar burimet e furnizimit dhe për ta ulur varësinë nga gazi rus, tek i cili është mbështetur kryesisht për më shumë se një çerek shekulli.

Serbia dhe Azerbajxhani nënshkruan marrëveshjen e partneritetit strategjik në nëntor të vitit 2023.

Ministrja e Energjisë e Serbisë, Dubravka Handanoviq Gjedoviq, deklaroi në shtator se gjatë dimrit, Serbia do të jetë në gjendje të llogarisë në dërgesat e sigurta të rreth një milion metra kub gaz nga Azerbajxhani.

Gazi nga Azerbajxhani i dërgohet Serbisë përmes një gazsjellësi të ri në Bullgari, i cili financohet pjesërisht nga Bashkimi Evropian (BE). /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani në një intervistë për “Info…