Presidenti i Sirisë viziton ushtarët në Guta
Televizioni shtetëror sirian ka bërë me dije se presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka vizituar trupat ushtarake në Gutan Lindore, më 18 mars. Kjo është vizita e tij e parë pas shumë vitesh në enklavën që gjendet afër kryeqytetit, Damask.
Imazhet e shfaqura në televizionin sirian dhe mesazhet e postuara në llogarinë e Assadit në aplikacionin “Telegram” tregojnë se si ai takohet me persona të veshur me uniforma ushtarake.
“Në frontin e luftës në Gutan Lindore… Presidenti Assad me heronjtë e ushtrisë siriane”, është thënë në përshkrimin e fotografive të postuara të Assadit, raporton “Rel”.
Forcat e Qeverisë së Sirisë në javët e fundit kanë kryer sulme të mëdha në Gutan Lindore, enklavë e cila është nën kontrollin e rebelëve që prej vitit 2012.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Britani, ka thënë se forcat e Assadit kanë marrë nën kontroll më shumë se 80 për qind të territorit të kësaj enklave.
Qeveritë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje forcave qeveritare siriane dhe aleatëve të tyre, përfshirë edhe Rusinë, që të ndërpresin sulmet. Më 28 shkurt, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e kishte përshkruar si “ferr në Tokë” situatën në Guta.