Presidenti Slloven pas takimit me Osmanin: Jam plotësisht kundër ndryshimit të kufijve, nuk pajtohem me “non-paper”
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor tha para mediave në Prishtinë se nuk pajtohet me “non-paper” që janë publikuar dhe ka qëndrim plotësisht të kundërt me atë.
Pahor tha se në samitin e Brdo-Brijunit të hënën, do të provojë t’i bind shtetet anëtare që të vazhodohet me zgjerimin e BE-së.
“Me “non-paper” nuk pajtohem, qëndrimi im është plotësisht i kundërt që të mos bisedohet për alternativa të tilla të ndryshimit të kufijve. Unë dua ti bind bashkëbiseduesit që të vazhdohet me zgjerimin e BE-së”, tha ai.
Lidhur me “non-paper”, foli edhe presidentja Osmani, e cila tha se Sllovenia asnjëherë s’ka përkrahur ndryshim kufijsh në Ballkan.
“Më lejoni ta rikonfirmoj se kurrë nuk kam parë involvim të shtetit slloven në ndonjë aventurë për ndryshim kufijsh, përkundrazi ka pasur samite ku Sllovenia ka mbajtur qëndrim të qartë se ndryshimi i kufijve e dëmton rajonin tonë, dhe e falenderoj presidentin Pahor që e konfirmoi sërish sot këtë qëndrim. Ne duhe të kemi vetbesim, pavarësisht se kush publikon, e rëndësishmja është se përfaqësuesit e Kosovës asnjëherë nuk do t’i pranojnë ato”, u shpreh Osmani.