Presidenti Steinmeier uron presidentin Thaçi për 10-vjetorin e pavarësisë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Në urimin e presidentit gjerman është thënë se shtetësia e Kosovës është konsoliduar në mënyrë të qëndrueshme dhe Gjermania do të mbetet edhe më tej një partnere e besueshme e Kosovës.
Presidenti Frank-Walter Steinmeier ka thënë se në vitet e ardhshme mbetet qenësore që Kosova të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave, në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë.
Ai ka inkurajuar Kosovën që së bashku me Serbinë të bëjnë hapa përpara në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Urimi i plotë i presidentit Frank-Walter Steinmeier:
Zoti president, në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, juve dhe të gjithë qytetarëve të vendit tuaj ju uroj nga zemra.
Kur kthej kokën nga dhjetë vjetët e shkuar, gëzohem posaçërisht të shoh se shtetësia e Kosovës është arritur të konsolidohet në mënyrë të qëndrueshme.
Më shumë se 110 njohje, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe rishtazi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian paraqesin një bazë të qëndrueshme për zhvillime të tjera të suksesshme në vendin tuaj.
Në vitet e ardhshme mbetet qenësore që Kosova të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave, para se gjithash në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë.
Unë, veç kësaj, ju inkurajoj që së bashku me Serbinë të bëni hapa përpara në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ju mund të jeni të sigurt se Gjermania do të mbetet edhe më tej një partnere e besueshme e Kosovës.
Edhe në emër të bashkëkombësve të mi, të gjithë qytetarëve në Kosovë iu uroj një të ardhme paqësore në mirëqenie dhe liri, ndërsa juve mbarësi.