Presidenti takon ambasadorët e Quintit, flasin për dialog, Interpol dhe FSK-në
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka takuar sot në mëngjes ambasadorët e vendeve të Quintit, shefat e ambasadave të ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe shefen e Zyrës së BE-së në Prishtinë, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë në çështjet e dialogut, Interpolit, FSK-së dhe liberalizimit të vizave.
Duke folur për dialogun, presidenti Thaçi ka mirëpritur përkrahjen unike të bashkësisë ndërkombëtare për dialogun dhe negociatat në mes Kosovës dhe Serbisë, pa paragjykuar apo kushtëzuar epilogun e tyre.
“E mirëpres qëndrimin tuaj unik, se dialogu është rruga e vetme për të ecur drejt integrimeve euroatlantike dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Suksesi i këtij procesi varet nga uniteti politik në Kosovë, por në masë të konsiderueshme edhe nga uniteti i shteteve të Kuintit”, është shprehur presidenti Thaçi.
Po ashtu, ai ka theksuar se Kosova është afër finalizimit të procesit të anëtarësimit në Interpol dhe ka kërkuar koordinim dhe angazhim të shtuar në këtë fazë finale të një procesi të rëndësishëm për sigurinë në Kosovë dhe më gjerë.
Kurse në çështjen e liberalizimit të vizave, presidenti Thaçi ka theksuar se është fondamentale që të mos ketë vonesa në marrjen e vendimit meritor për qytetarët e Kosovës.
Ndërsa, për FSK-në ka pohuar se ka filluar procesi i përgatitjes së ndryshimeve në tri ligje, që të zgjerohet mandati i FSK-së.
“Transformimi i FSK-së është proces i pandalshëm, i pakthyeshëm, që po bëhet me kujdes dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka deklaruar Thaçi.
/Epoka e re/