PRESIDENTI THAÇI – ARKETIP MASHKULLOR NË ARTIN E KARIKATURËS

04 mars 2020 | 23:11

Shkruan: Ismail SYLA

Fenomeni i ndotjes së skenës politike të Kosovës, i kontaminimit të saj shkallën më të lartë e arriti në rastin e krijimit të bllokut VLAN (Vetëvendosje, LDK, AAK dhe NISMA) më 9 qershor 2014. Prej asaj periudhe e deri më zgjedhjet e 6 tetorit 2019 skena politike e Kosovës mund të konsiderohet shumë e ndotur dhe mezi e qëndrueshme.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit skena politike e Kosovës mori pamje të re. Partia Demokratike e Kosovës që ishte në pozitë për 12 vjet humbi zgjedhjet si forcë e parë politike. U mund por nuk pësoi debakël, sepse dy partitë para saj nuk kanë diferencë drastike në përqindje, pra as në numër deputetësh.

Prej vitit 2004 e deri më 2017 Kosova provoi modelet e koalicioneve LDK AAK, PDK LDK dhe atë PAN. Më 3 shkurt 2020 Kosova provoi modelin e katërt të koalicionit të përbërësve të ndryshëm politikë, atë midis VV dhe LDK. Dy botë politike të ndryshme. Pas një periudhe tremujore më në fund krijuan koalicion. Dy basma krejtësisht të ndryshme krijuan një rrobe të përbashkët qeverisëse.

Gjatë periudhës tremujore para arritjes së koalicionit VV-LDK u rikujtua e gjithë historia e konfliktit ideologjik dhe taktik, veprimet dhe akuzat e të dy forcave politike që kishin rivalitet organik sidomos në kryeqytet. U shprushën dallimet, etiketimet, animoziteti i ndërsjellë, pa natyrshmëria mes tyre e çka jo tjetër. Por, për të gjitha u mbyllën sytë.

A të lëshohej zogu nga dora? A të lëshohej ky moment?

Jo.

Sado të ndryshme, si filozofi politike dhe si struktura sociale, sado të ndryshme, në parime dhe veprime, këto dy forca politike e kishin rastin në dorë për të goditur në dy objektiva:

Objektivi i parë. Për ta larguar nga pozita Partinë Demokratike të Kosovës, që qëndroi në pozitë për 12 vjet me radhe. Për ta larguar nga pushteti klasën politike me prejardhje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Për ta larguar strukturën e fuqishme politike nga një vatër tradicionale e qëndresës kombëtare, nga Drenica – zemra e UÇK-së dhe e rezistencës njëshekullore kundër sundimit serb të Kosovës.

Objektivi i dytë. Ishte rast që nuk duhej lëshuar nga duart për ta dobësuar pozicionin politik të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është lideri dhe politikani më jetëgjatë në Ballkanin e 22 viteve të fundit.

Këtë rast nuk mund ta lëshonte logjika e pjesëve “militare” të LDK-së, që karrierën e tyre nuk e ndërtuan mbi vlerat e LDK-së rugoviane, por të LDK-së anti-Thaç. Aq më pak do ta lëshonte rastin nga dora lukunia e papërmbajtur e militantëve të VV që e identifikuan vetveten me një urrejtje ekstreme patologjike kundër Hashim Thaçit, aktualisht president i Kosovës.

Për Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka pengesë dhe kundërshtar më të madh në këtë botë se sa Hashim Thaçi. Ata me çdo kusht e duan të rënë përtokë, të zhveshur, të mundur. Prandaj “e luftojnë” në rrugë, në institucione, në tokë, madje edhe në det, po të kishte gjeografia e Kosovës atë masë të madhe ujore.

Dhe nuk kanë faj.

Por, për ata që e dëshirojnë rënien e presidentit Thaçi me shpinë për toke, ndonëse nuk jam teoricien i artit të karikaturës, më duhet t’ua rikujtoj faktin se në historinë e tij 22 vjeçare në politikë aktive, ai asnjëherë nuk u karikaturua si humbës dhe i dorëzuar. Ai gjithmonë është figura që personifikon arketipin e “burrit,” e ndërkaq gjithë oponentët e tij paraqiten me figurën “e gruas”.

Pra, ai gjithmonë paraqitet pjesa “mbi” dhe asnjëherë pjesa “nën”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas krizës në Evropë me refugjatët nga Siria, Shqipëria po…