Presidenti Thaçi: Batalioni ‘Atlantiku’ i dha jehonë luftës së UÇK-së
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot pjesëtarët e batalionit “Atlantiku”.
Thaçi ka thënë se është kënaqësi e veçantë si bashkëluftëtar, por edhe si president i vendit, që ta ketë një bashkëbisedim shumë miqësor dhe vëllazëror me pjesëtarët e batalionit “Atlantiku”, për të evokuar kujtime nga e kaluara, por edhe për të diskutuar dhe shikuar kah e ardhmja.
“Edhe fati i vendit tonë është i lidhur drejtpërdrejtë me rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm dhe historik që e ka dhënë komuniteti shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në përgjithësi diaspora jonë. Ju keni qenë strumbullari, mund të them lirisht i atij organizmi, i atij masiviteti, i bashkëngjitjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte rruga e vetme për të ardhur deri te liria dhe pavarësia, si dhe rruga e vetme për të larguar Serbinë nga Kosova”, është shprehur Thaçi.
Presidenti Thaçi ka theksuar se ardhja e pjesëtarëve të batalionit “Atlantiku” në 20-vjetorin e hyrjes në Kosovë, 20-vjetorit të betejës së Pashtrikut dhe betejave tjera heroike, me të vërtetë është një energji e re për të gjithë bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, ish-komandanti i batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu, ka theksuar se rrugëtimi i ‘Atlantikut” ishte pjesë e një angazhimi shqiptaro-amerikan përgjatë dekadave në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Angazhimi i drejtpërdrejtë i batalionit në luftë, në mënyrë të organizuar nga fondi ‘Vendlindja Thërret’ dhe veprimtarë tjerë të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara, bënë që ta ketë edhe jehonën e vet, edhe mbështetjen e rëndësishme që ia dha luftës sonë çlirimtare”, ka thënë Shehu.
Pjesëtarëve të batalionit “Atlantiku”, kreu i shtetit u ka thënë se ata gjithmonë kanë investuar në unitet dhe në afrimin e qytetarëve pa dallime partie dhe ideologjie, duke synuar forcimin e lëvizjes kombëtare dhe luftës kundër Serbisë, por edhe forcimin e shtetit të Kosovës, demokracisë, rendit, ligjit dhe perspektivës euroatlantike.
/Epoka e re/