Presidenti Thaçi: Batalioni ‘Atlantiku’ misionin për atdheun e kreu ballëhapur
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në akademinë e organizuar në nderim të 20- vjetorit të themelimit të batalionit “Atlantiku”.
Me këtë rast Thaçi ka thënë se batalioni “Atlantiku” është sinteza më reprezentative e rrethit ciklik ose katër fazave të marrëdhënieve të shqiptaro–amerikanëve me atdheun dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Të parët tuaj, por edhe ju, shkuat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atdheun e madh të lirisë dhe demokracisë. Shqiptarët e Amerikës kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm dhe historik në afirmimin e çështjes së Kosovës. Në çastet më të vështira për Kosovën ishte krejtësisht i natyrshëm reagimi juaj, sepse ju e dinit kuptimin e thellë të lirisë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se batalioni “Atlantiku” është treguesi më i qartë i historisë politike dhe ushtarake të shqiptarëve, prandaj pjesëtarët e tij iu përgjigjen më së miri kushtrimit “Atdheu në rrezik, Vendlindja thërret”.
“Ju nga mirëqenia maksimale erdhët në luftë. Jeni beteja dhe fronti i luftës çlirimtare. Në kuadër të batalionit “Atlantiku”, ju luftuat drejtpërdrejtë forcat pushtuese ushtarake serbe. Misionin tuaj ndaj atdheut ju e kryet ballëhapur”, ka shtuar Thaçi.
Kreu i shtetit ka theksuar se duke mposhtur forcat serbe, së bashku me ndihmën e NATO-s, është realizuar misioni më i lartë kombëtar, patriotik dhe politik.
“Ëndrrën e gjithë gjeneratave e bëtë realitet. Ju hytë në Kosovë me ajrin e lirisë”, ka theksuar ai.
Në mbyllje të fazës së katërt, pas kuptimësimit të lirisë, pjesëtarëve të batalionit “Atlantiku”, presidenti Thaçi u ka thënë se pas luftës dhe sakrificës ju u kthyet sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tek familjet tuaja, tek profesioni, puna dhe biznesi.
“Si luftëtar ju veshët uniformat dhe morët armët në luftë për liri. Pas fitores, ju hoqët uniformën dhe ju kthyet jetës. Kështu bëjnë njerëzit e mëdhenj, ata që dinë se çka duan”, ka theksuar ai.
Presidenti Thaçi ka potencuar se sa më shumë që kalon koha, aq më shumë do të shtohet vlera e luftës çlirimtare.
“Fëmijët tuaj dhe fëmijët e fëmijëve tuaj do të jenë krenarë me ju, sepse nuk lejuat që robëria e Kosovës të vazhdojë pa fund. Viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë”, ka thënë ai.
I pari i vendit ka shprehur mirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe shteteve të BE-së për atë që bënë për lirinë pavarësinë dhe ngritjen e Kosovës.
Po ashtu Thaçi ka theksuar se përjetë do u jetë mirënjohës dhe do të përkulet me respekt para vëllezërve Bytyçi, heronjve të batalionit “Atlantiku” dhe gjithë heronjve të Kosovës.
/Epoka e re/